Avioni i zhdukur, dy nga pasagjerët me pasaporta të vjedhura

Zyrtarët thonë se dy pasagjerë në avionin e zhdukur të shoqërisë ajrore Malaysia Airlines po udhëtonin me pasaporta të vjedhura.

Dy burra në listën e pasagjerëve, një nga Italia dhe një nga Austria nuk hipën në avionin me destinacion nga Kuala Lumpuri për në Pekin që u zhduk të shtunën. Avioni kishte 239 vetë në bord.

Dy burrat njoftuan se u ishin vjedhur pasaportat në Tajlandë dy vjet më parë. Nuk është e qartë se kush po udhëtonte me pasaportat e tyre. Zyrtarët amerikanë thonë se ende po e trajtojnë zhdukjen e avionit si aksident ajror, por zyrtarët malejzianë thonë se nuk kanë përjashtuar asnjë skenar.

Pilotë të ekipeve vjetnameze të shpëtimit thanë se dalluan dy njolla të mëdha nafte pranë brigjeve jug-perëndimore të vendit, megjithëse nuk janë zbuluar pjesë të avionit.

Avionë e anije nga Kina, Filipinet dhe Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë përpjekjet e kërkimit. Avioni i shoqërisë ajrore Malaysia Airlines, fluturimi MH370 u zhduk nga radarët afro një orë pasi u nis për në Pekin. Pjesa më e madhe e pasagjerëve ishin kinezë.

Faqja e kompanisë në Facebook thotë se pasagjerët ishin nga 14 shtetësi të ndryshme, përfshirë 152 kinezë, 38 malajzianë dhe katër amerikanë.