Histori: Çfarë ndodhi më 9 tetor?

  • Astrit Lulushi

Battle of Roncevaux

768 - Karli i madh kurorëzohet mbret i frankëve, dhe si komandant të ushtrisë cakton nipin e tij, Roland. 10 vjet më vonë, Rolandi do të vritej në përpjekje me forcat baske në Betejën e Roncesvallës, grykë malore në Pirenenj (mes Francës dhe Spanjës). Por humbja nuk solli vërtetë humbje, nisur nga vështrim afatgjatë, nga i cili të gjithë përfitojnë ndopak; Beteja e Roncesvallës u bë pikënisja e eposit francez me poemën "Kënga e Rolandit" (La Chanson de Roland), që është vepra më e vjetër e njohur e letërsisë franceze. Poema është një përmbledhje luftrash heroike të frankëve normanë, dhe mendohet të jetë shkruar aty nga fillimi i shekullit të 12-të, kur kishte filluar të behej e zakonëshe që legjendat dhe ngjarjet e së kaluarës të nderthureshin me ato të ditës, të zbukuroheshin e të këndoheshin me ndjenjë lavdie. Në Këngën e Rolandit ka edhe vargje ku permenden vise e toponime shqiptare, rreth disa ngjarjeve të mjegullta historike në keto troje. Për shembull, në Këngën e Rolandit, Albeigne (Albanie, Albania) përmendet si emërtim për zonat bregdetare të Shqipërisë së sotme; dhe kjo është e rëdësishme, pasi emri Albanian dokumentohet se është përdorur në vazhdimësi të dëshmisë së gjeografit Ptolemi në shekujt e parë të erës sonë kur në Gjeografinë e tij përmend fisin Albanoi që banonte në këto territore. Ja si përshkruhet në Këngën e Rolandit gjendja e dy garnizoneve normane të vendosura në Orikum (Jeriko) dhe Bylis (Balida):

"E shtata me asash prej Jeriko
E teta me Nigres, e nënta me Gros
E dhjeta me burra nga Balida të fortë".



1888 - Monumenti Washington hapet zyrtarisht për publikun e gjerë. Monumenti, i përbërë nga mermer, granit, dhe gurë të përzgjedhur, është struktura prej guri më e larta në botë, dhe obelisku më i lartë në botë (169 metra e 294 centimetra i gjatë). Kolona të tjera më të larta ekzistojnë, por ato nuk janë prej guri ose obelisqe. Ndërtimi i monumentit filloi në vitin 1848, por u ndërpre më 1854 - 1877, dhe përfundoi në vitin 1884 - ndërprerjet ndodhën për shkaqe të ndryshme si, mungesa e fondeve apo Lufta Civile. Pas përfundimit, ky monument u quajt struktura më e lartë në botë, titull i mbajtur më parë nga katedralja e Këlnit në Gjermani. Monumenti ruajti këtë përcaktim deri më 1889, kur Kulla Eifel përfundoi në Paris, Francë. Monumenti Washington qëndron në lindje të kryeqytetit amerikan; pamja e tij reflektohet në pishinën e gjatë përballë Memorialit të Linkolnit. Monumenti u dëmtua gjatë tërmetit më 23 gusht 2011 dhe uraganit Irene po atë vit; pritet të rihapet për publikun në vitin 2014.


1934 - Mbretocid në Marsejë; vritet mbreti Aleksandri i parë i Jugosllavisë. Në Luftën e Parë Ballkanike,1912, ai ishte princ trashëgimtar i Serbisë, dhe komandoi ushtrinë në betejat për marrjen e Kumanovës dhe Manastirit. Në vitin1915, ushtria e tij pësoi humbje të rëndë kur u sulmua nga të gjitha drejtimet nga aleanca e Gjermanisë , Austro- Hungarisë dhe Bullgarisë; dhe forcat serbe u tërhoqën nëpër grykat e Malit të Zi dhe nëpër Shqipërinë e veriut duke u hedhur në ishullin e Korfuzit, ku u riorganizuan. Në vitin 1929, mbreti Aleksandër u përpoq për heqjen nga përdorimi të gërmave cirilike për të nxitur përdorimin e alfabetit latin në Jugosllavi. Si rezultat i vdekjeve të mëparshme të tre anëtarëve të familjes, të martën, mbreti Aleksaandër refuzonte të kryente ndonjë funksion publik në kete ditë të javës. Por të martën, më 9 tetor 1934, ai nuk kishte alternative tjetër pas mbërritjes në Marsejë për një vizitë shtetërore në Francë. Ndërsa Aleksandri ishte duke parakaluar në një makinë të hapur, së bashku me ministrin e Jashtëm francez Lous Barthou, një person i armatosur doli nga turma dhe hapi zjarr ndaj tij. Aleksandri vdiq menjëherë, ministri Barthou u plagos dhe vdiq më vonë. Vrasësi ishte bullgar, anëtar i Organizatës Revolucionare Maqedonase (IMRO ). Menjëherë pas vrasjes, i rrëzuar nga shpata e një polici, dhe pastaj i rrahur e goditur nga turma, vrasësi vdiq në vendin e ngjarjes. IMRO ishte një organizatë politike që luftonte për shkëputjen e Maqedonisë së Vardarit nga Jugosllavia. Edhe pse nuk pati prova bindëse se diktatori italian Benito Musolini ose qeveria hungareze ishin të përfshirë në komplot, opinioni i përgjithshëm në Jugosllavi ishte se Italia kishte luajtur rol vendimtar në planifikimin dhe kryerjen e vrasjes. Gjithashtu, vrasja e mbretit Aleksandër u regjistrua nga një kamerë filmike që ndodhej për të mbuluar paradën; dhe mbetet një nga filmimet e rralla të një vrasjeje të kësaj natyre, së bashku me filmimin e vrasjes së presidentit amerikan John F. Kennedy në Dallas, Teksas, më 1963. Një gjë e panjohur për publikun para vrasjes ishte, se mbreti Aleksandër i Jugosllavisë kishte në gjoksin e tij një tatuazh të gjërë të shqiponjës heraldike.


1967 - Një ditë pas kapjes nga forcat boliviane, revolucionari marksist Ernesto "Che" Guevara ekzekutohet për përpjekjet e tij për të nxitur një revolucion në Bolivi. Zakonisht i njohur si el Che apo thjesht Che, lindur më 14 qershor 1928, Guevara ishte një argjentinas revolucionar marksist, mjek, autor, udhëheqës gueril, diplomat dhe teoricien ushtarak. Figurë e madhe e revolucionit Kuban, pamja e tij e stilizuar është një simbol i kudogjendur i rebelimit. Pas revolucionit Kuban, Guevara luajti një numër rolesh kyçe në qeverinë e Fidel Kastros; përfshi drejtimin e gjyqeve kundër armiqëve të revolucionit dhe nxjerrjen e tyre para skuadrave të pushkatimit. Ai hartoi planet për reformën agrare dhe shtetëzim e industrive. Si diplomat në emër të socializmit kuban, Guevara udhëtoi në vende të ndryshme të botës, përfshi Shqipërinë. Guevara gjithashtu luajti rol qendror në trajnimin e forcave të milicisë të cilat zbrapsën sulmin amerikan në Gjirin e Derrave më1961; ndikim Guevara pati edhe për sjelljen e raketave balistike dhe armëve bërthamore sovjetike në Kubë, që shkaktoi krizën e raketave kubane më 1962. Përveç kësaj, Guevara ishte shkrimtar; ai la pas një ditar, së bashku me një autobiografi në lidhje me udhëtimin e tij me motor nëpër Amerikën latine kur ishte i ri. Revista amerikane Time e ka cilësuar Guevarën si një nga 100 njerëzit më me ndikim të shekullit të 20-të; ndërsa fotografia Guevara; "Guerrillero Heroico" e Alberto Kordas, është cituar nga Kolegji i Institutit të Artit në Maryland si fotografia më e famshme në botë. Guevara ka frymëzuar shumë njerëz të shtypur, pavarësisht ideologjisë, siç shprehin këto vargje;

Njeri më shumë se kujtesë
kujtesa më shumë se njeriu.
Me duar të palidhur
me sytë të hapur vdiq,
pak më fatlum se Lorka.”


Mendim i ditës

"Udhëheqësit mizorë zëvendësohen vetëm që udhëheqësit e rinj të kthehen në mizorë."

Che Guevara