Anulohet takimi i Ohrit

Presidenti i Maqedonisë, Geroge Ivanov, anuloi sot takimin e lartë të udhëheqësve të shteteve të nismës së Bashkëpunimit të Evropës Jug-lindore që ishte planifikuar të mbahej në Ohër të Maqedonisë këtë fundjavë.

Vendimi për anulimin e takimit pasoi njoftimet se ai do të bojkotohet nga presidentët e Shqipërisë dhe të Kroacisë, të cilët nuk janë pajtuar me mospërfshirjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidenti maqedonas, tha se Republika e Maqedonisë ka vepruar në përputhje të plotë me dokumentet dhe rregullat si kryesuese e përgjegjshme në këtë proces.

Për fat të keq paragjykimet e vjetra ballkanike sërish erdhën në shprehje para mbajtjes së Samitit. Nuk do të lejojë që mbi kurrizin e Maqedonisë të thyhen këto paragjykime ballkanike. Sfidat duhet të zgjidhen me dialog jo me bojkot”, tha ai në një takim me gazetarë në Shkup, duke nënvizuar se “bashkëpunimi rajonal ndodhet para një sfide serioze”.

Më herët gjatë ditës presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç anuloi pjesëmarrjen në takim. Në një njoftim të zyrës së presidentit kroat thuhet se, qëllimi i takimeve rajonale tubimeve rajonale është bashkëpunimi dhe përfshirja e të gjithëve nga rajoni në këtë bashkëpunim.

Kroacia mbetet e përkushtuar ndaj politikës së bashkëpunimit rajonal, solidarizimit dhe mbështetjes së plotë për të gjitha vendet e rajonit dhe përpjekjeve të tyre për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Të martën, presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takim. Shkak për këtë vendim është bërë fakti që Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nuk është ftuar të marrë pjesë “në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit dhe të dialogut që mbizotëron në rajon”, thuhet në një njoftim të presidencës së Shqipërisë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk kishte marrë ftesë nga organizatori i Samitit në Ohër. Në një deklaratë të zëdhënësit të saj, Arbër Vllahiu, thuhej se “pjesëmarrja e Kosovës është pamundësuar për shkak të kundërshtimeve nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina dhe kjo bie në kundërshtim me parimin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, si parakusht i integrimeve evropiane. Përfaqësimi i Kosovës në çdo nismë rajonale dhe ndërkombëtare bëhet mbi bazën e barabarësisë dhe është në frymën e respektimit të subjektivitetit dhe pavarësisë së secilit shtet”.

Në deklaratë thuhet se Kosova është dëshmuar si një faktor paqeje në Ballkanin Perëndimor dhe po kontribuon në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e gjithë rajonit.
Ajo ka ndërtuar politika të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të ndërsjellë dhe përfshirja e saj në nismat rajonale do të ndihmonte në tejkalimin e dallimeve dhe pasojave të së kaluarës. Pengesat e paraqitura nga pala e tretë për pjesëmarrjen e saj në këto nisma janë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel, me të cilën asnjëra palë nuk do të pengojë dhe as të inkurajojë dikë tjetër që të bllokojë përparimin në rrugën e integrimeve”.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u tha ditë më parë medieve serbe se, vendimi për të mos ftuar Kosovën, ishte marrë nga autoritetet e Shkupit dhe nuk ishte kërkesë e Beogradit.