Lutjet e para të Papës

Papa Françesku doli sot për herë të parë në dritaren papale, ku u prit me entuziazëm nga më shumë se 150 mijë njerëz në Sheshin e Shën Pjetrit.

Duke u shkëputur nga tradita, Françesku nuk iu përmbajt një fjalimi të shkruar më parë, por foli thjeshtë lidhur fuqinë e Zotit për të falur.
Ai foli vetëm në italisht dhe jo në disa gjuhë, siç kanë vepruar paraardhësit e tij.

Dritarja papale u hap sot për herë të parë që kur paraardhësi i Françeskut, Benedikti i XVI, mbajti fjalimin e fundit më 24 shkurt.
“Ky moment është pozitiv dhe i rëndësishëm për ne të krishterët, për t’u takuar me njeri tjetrin të dielën, për të përshëndetur njeri tjetrin si ky moment në këtë shesh. Ky shesh, gjithashtu falë medias, është tani po aq i madh sa e gjithë bota”, tha Papa i prekur nga prania e një lumi të tërë besimtarësh në sheshin e Shën Pjetrit.

Para se të dilte në dritaren papale për të përshëndetur besimtarët, Papa shkoi tek një portë e hapur e qytetit të Vatikanit dhe më pas shkoi në një meshë për banorët e Vatikanit. Tek porta Papa u prit nga grumbulli entuziast të njerzve, të cilët thërrisnin: "Françesku, Françesku".

Duke vazhduar stilin e tij jozyrtar, Papa Françesku i veshur me rrobë të bardhë, iu afrua kreut të ekipit të sigurimit të tij dhe i tha se donte të takohej me dy priftërinj të pranishëm, të cilët iu afruan Papës dhe e përqafuan atë.

Ceremonia zyrtare e emërimit të Papa Françeskut si kreu i Kishës Katolike do të zhvillohet të martën, ku do të marrin pjesë delegacione të shumta nga e gjithë bota, përfshirë edhe atë amerikan, i kryesuar nga nënpresidenti, Joe Biden, i cili është katolik. Gjatë javës Papa pritet të takohet edhe me Presidenten e Argjentinës, Cristina Kirchner.