Votuesit e pavarur në qendër të garës

  • Chris Simkins

US Voter Profile

Në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Barak Obama dhe rivali i tij Mitt Romney po bëjnë përpjekjet përfundimtare për të fituar mbështetjen e grupeve kryesore të votuesve si gratë, që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit në shtetet e lëkundura. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins sjellë hollësi mbi një votuese nga Karolina e Veriut e cila ka qenë në qendër të vëmendjes politike dhe si demokratët ashtu edhe republikanët po përpiqen të fitojnë mbështetjen e saj.

Melanie McNamara është pronare e një kompanie të vogël mobiljesh në High Point të Karolinës së Veriut. Ajo është një nga prodhuesit e paktë të mbetur në qytetin që dikur konsiderohej “kryeqytet i botës në prodhimin e mobiljeve”. Zonja McNamara është mbështetëse e fuqishme e prodhimeve amerikane.

“Është e rëndësishme për qytetin tim, për shtetin tim dhe për vendin tim që ende të krijojmë vende pune në sektorin e prodhimit”.

Suksesi i saj në fushën e biznesit e ka vënë atë në qendër të vëmendjes në garën presidenciale. Ajo është pjesë e grupit të votuesve të përbërë nga femra të bardha të pavarura, mbështetja e të cilave u nevojitet kandidatëve presidencialë Barak Obama dhe Mitt Romney për të fituar zgjedhjet.

“Gratë e dinë se çfarë po ndodh me ekonominë dhe ato nuk votojnë në bazë të vetëm një çështjeje”.

Presidenti Obama po përpiqet të ruajë mbështetjen që ai ka pasur mes grave të bardha. Një anketë e kohëve të fundit tregon se presidenti gëzon më pak mbështetje se sa Mitt Romney mes votuesve të bardhë dhe votuesve të pavarur. Presidenti Obama fitoi mbështetjen e votuesve të pavarur në vitin 2008.
Zonja McNamara votoi për zotin Obama më 2008, por tani mbështet zotin Romney. Ajo thotë se ekonomia është çështja kryesore për të.

“Në katër vitet e fundit kam parë jo vetëm humbje të vendeve të punës në sektorin e prodhimit, por edhe shumë njerëz që janë pa punë këtu në Karolinën e Veriut si dhe rënie të nivelit të të ardhurave. Në dyqane unë shoh njerëz që heqin artikuj ushqimor nga karroca e tyre sepse ata nuk mund t’i përballojnë ato”.

Me të dëgjuar për zonjën McNamara, fushata e zotit Romney e kontaktoi atë dhe zonja McNamara ra dakord për të organizuar një takim fushate për zotin Romney në fabrikën e saj të mobiljeve. Ky ishte një moment gëzimi për zonjën McNamara.

“Kur ai erdhi këtu ishte mirë ta takoje atë si një individ dhe jo vetëm si kandidat që mund ta shihni në televizion duke mbajtur fjalim”.

Fushata e zotit Romney e bëri historinë e zonjës McNamara temë të një reklame politike televizive.

Deri tani zonja McNamara nuk ka qenë aktive në politikë. Por ajo thotë se ka ardhur koha që ajo të ngrejë zërin kundër propozimit për rritjen e taksave që ajo thotë se do të dëmtonte pronarët e bizneseve të vogla.

“Nëse unë nuk kam të ardhura dhe detyrohem të paguaj më shumë taksa për çdo gjë tjetër, atëherë unë nuk do të kem të ardhura për të zgjeruar biznesin tim, dhe në qoftë se nuk mund ta zgjeroj biznesin tim unë nuk mund të punësoj njerëz të tjerë”.

Zonja McNamara thotë se është mirë të jesh votues i pavarur pasi kandidatët e ndryshëm duan të flasin me ju dhe kjo i ka dhënë asaj shansin për të shprehur idetë e saj për përmirësimin e ekonomisë së vendit dhe për rikthimin e vendeve të punës në sektorin e prodhimit në zonat e vendit që kanë nevojë për ato.