Lidhje

Zyrtari taleban: Do të rikthehen ndëshkimet e rënda dhe ekzekutimet


Mullah Nooruddin Turabi
Mullah Nooruddin Turabi

KABUL, Afganistan - Një nga themeluesit e lëvizjes së Talebanëve dhe zbatuesi kryesor i interpretimit të ashpër të ligjit islam kur ata sunduan për herë të fundit Afganistanin, tha se kjo lëvizje e linjës së ashpër do të kryejë sërish ekzekutime dhe gjymtime të duarve, edhe pse ndoshta jo në publik.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve The Associated Press, Mullah Nooruddin Turabi minimizoi indinjatën për ekzekutimet e talebanëve në të kaluarën, të cilat ndonjëherë ndodhnin para turmave në një stadium, dhe paralajmëroi botën kundër ndërhyrjes tek sundimtarët e rinj të Afganistanit.

"Të gjithë na kritikuan për ndëshkimet në stadium, por ne kurrë nuk kemi thënë asgjë për ligjet e tyre dhe dënimet e tyre", tha Turabi duke folur në Kabul për agjensinë The Associated Press. “Askush nuk do të na thotë se cilat duhet të jenë ligjet tona. Ne do të ndjekim Islamin dhe do t'i bëjmë ligjet tona bazuar tek Kurani”.

Që kur talebanët pushtuan Kabulin më 15 gusht dhe morën kontrollin e vendit, afganët dhe bota po vëzhgojnë nëse do të ngrenë sërish sundimin e tyre të ashpër të fundit të viteve 1990. Komentet e Turabit vunë në dukje sesi udhëheqësit e grupit mbeten të ngulitur në një botëkuptim thellësisht konservator dhe të ashpër, edhe ndërsa po përqafojnë ndryshimet teknologjike, si videot dhe celularët.

Turabi, tani në të 60-at, ishte ministër i drejtësisë dhe kreu i të ashtuquajturës Ministria e Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimit të Veseve - praktikisht, policia fetare - gjatë regjimit të mëparshëm të talebanëve.

Në atë kohë, bota denoncoi ndëshkimet e talebanëve, të cilat u zhvilluan në stadiumin sportiv të Kabulit ose në territorin e xhamisë së madhe Eid Gah, me pjesëmarrjen shpesh të qindra burrave afganë.

Ekzekutimet e vrasësve të dënuar zakonisht bëheshin me një plumb të vetëm në kokë, të shtënë nga familja e viktimës, e cila kishte edhe opsionin të pranonte "paratë e gjakut" dhe të lejonte fajtorin të jetonte. Për hajdutët e dënuar, dënimi ishte prerja e një dore. Atyre që dënoheshin për grabitje të udhëtarëve, u pritej një dorë dhe një këmbë.

Gjykimet dhe dënimet ishin rrallë herë publike dhe gjyqësori mbështeste klerikët islamikë, njohuritë e të cilëve për ligjin ishin të kufizuara tek urdhëresat fetare.

Turabi tha se këtë herë çështjet do të gjykohen nga gjyqtarët, ndër ta edhe gra, por themeli i ligjeve të Afganistanit do të jetë Kurani. Ai tha se të njëjtat ndëshkime do të rikthehen.

"Prerja e duarve është shumë e nevojshme për sigurinë," tha ai, duke thënë se kishte një efekt parandalues. Ai tha se kabineti po studion nëse do të bëjë ndëshkime në publik dhe do të "zhvillojë një politikë" për këtë.

Ditët e fundit në Kabul, luftëtarët talebanë kanë rikthyer një ndëshkim që e përdornin zakonisht në të kaluarën - turpërimin publik të burrave të akuzuar për vjedhje të vogla.

Në të paktën dy raste gjatë javës së fundit, burrat në Kabul janë hipur në pjesën e pasme të një kamioni me duart e lidhura dhe i kanë shëtitur për t'i poshtëruar. Në një rast, fytyrat e tyre u pikturuan për t’i identifikuar si hajdutë. Në një tjetër rast, u është varur në qafë, ose futur në gojë, bukë e mykur. Nuk ishte menjëherë e qartë se cilat ishin krimet e tyre.

I veshur me një çallmë të bardhë dhe me një mjekër të bardhë të dendur, Turabi çalon paksa mbi një këmbë artificiale. Ai humbi një këmbë dhe një sy gjatë luftimeve me trupat sovjetike në vitet 1980.

Nën qeverinë e re talebane, ai është përgjegjës për burgjet. Ai është mes një numri udhëheqësish talebanë, përfshirë anëtarët e kabinetit të përkohshëm të përbërë plotësisht nga meshkuj, të cilët janë në listën e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë sundimit të mëparshëm taleban, ai ishte një nga zbatuesit më të egër dhe pa kompromis të grupit. Kur talebanët morën pushtetin në 1996, një nga veprimet e tij të para ishte t'i bërtiste një gruaje gazetare, duke kërkuar që ajo të dilte nga dhoma me burra, dhe pastaj të godiste me një shuplakë të fuqishme në fytyrë një burrë që kundërshtoi.

Turabi ishte i njohur për heqjen e kasetave muzikore nga makinat, dhe varjen e qindra metrave shirita kasetash të shkatërruara nëpër pemë dhe tabela rrugore. Ai kërkoi që burrat të mbanin çallma në të gjitha zyrat qeveritare dhe besnikët e tij rrihnin rregullisht burrat që kishin shkurtuar mjekrën. Sportet u ndaluan dhe legjioni i zbatuesve të Turabit i detyroi burrat të shkonin në xhami për falje pesë herë në ditë.

Në intervistën e kësaj jave me agjensinë Associated Press, Turabi foli me një gazetare grua.

"Nekemi ndryshuar që nga e kaluara", tha ai.

Ai tha se tani talebanët do të lejojnë televizionin, celularët, fotografitë dhe videot "sepse kjo është domosdoshmëria e njerëzve, dhe ne jemi seriozë për këtë". Ai sugjeroi se talebanët i shohin mediat si një mënyrë për të përhapur mesazhin e tyre. "Tani ne e dimë se në vend që të arrijmë tek vetëm disa qindra (njerëz), ne mund të arrijmë miliona", tha ai. Ai shtoi se nëse ndëshkimet bëhen publike, atëherë njerëzit mund të lejohen të bëjnë video ose të bëjnë fotografi për të përhapur efektin parandalues.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përpjekur të përdorin kërcënimin e izolimit - dhe dëmin ekonomik që do të rezultonte prej tij - për të bërë presion ndaj talebanëve për të moderuar sundimin e tyre dhe për t’i dhënë fraksioneve të tjera, pakicave dhe grave, një vend në pushtet.

Por Turabi hodhi poshtë kritikat mbi sundimin e mëparshëm taleban, duke argumentuar se kishte arritur të sillte stabilitet. "Ne kishim siguri të plotë në çdo pjesë të vendit", tha ai për fundin e viteve 1990.

Edhe pse banorët e Kabulit shprehin frikë nga sundimtarët e tyre të rinj talebanë, disa e pranojnë me keqardhje se kryeqyteti tashmë është bërë më i sigurt vetëm që muajin e kaluar. Para marrjes nën kontroll të talebanëve, banda hajdutësh bridhnin nëpër rrugë dhe kriminaliteti i vazhdueshëm kishte larguar shumicën e njerëzve nga rruga sapo binte errësira.

"Nuk është gjë e mirë të shohësh këta njerëz të turpëruar në publik, por kjo i ndal kriminelët, sepse kur njerëzit e shohin atë, ata mendojnë se 'nuk dua që ky të jem unë'," tha Amaan, një pronar dyqani në qendër të Kabulit. Ai kërkoi që të identifikohej vetëm me një emër.

Një tjetër shitës tha se ishte një shkelje e të drejtave të njeriut, por se ai ishte gjithashtu i lumtur që mund ta mbante të hapur dyqanin edhe pasi ka rënë errësira.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG