Lidhje

UNMIK-u thotë se nuk mund të organizojë zgjedhjet lokale serbe në Kosovë


Misioni i Kombeve të Bashkuara i ka bërë më dije Beogradit se nuk mund të organizojë zgjedhjet lokale serbe në Kosovë. Ky qëndrim është shprehur në një përgjigje të shefit të këtij Misioni, Farid Zarif në kërkesën e Beogradit që UNMIK-u të organizojë zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë.

Një zëdhënëse e Misionit të Kombeve të Bashkuara i tha Zërit të Amerikës, se shefi i UNMIK-ut i ka shkruar Beogradit se “për shkak të rrethanave në terren, UNMIK-u nuk do të jetë në gjendje të organizojë zgjedhje lokale në Kosovë”.

Synimi i Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve, nxiti reagime të ashpra të Prishtinës zyrtare e cila e cilëson atë si cenim të sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës. Autoritetet në Prishtinë i kishin bërë thirrje UNMIK-ut që të mos bëhet palë në zgjedhjet serbe që rrezikojnë qëndrueshmërinë në Kosovë.

Kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe janë shprehur edhe diplomatët perëndimorë, të cilët i kanë bërë thirrje Serbisë që të sillet në pajtim me statusin e saj të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Serbia mori këtë status në fillim të muajit mars pas një marrëveshjeje me Kosovën në të cilën janë përfshirë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinioni i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Diplomatët thanë ndërkaq se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, do të mund të mbaheshin të organizuara nga Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, duke u nisur nga fakti se qytetarët e Kosovës e kanë të garantuar shtetësinë e dyfishtë.

Në veri – pengohet lëvizja e EULEX-it


Në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, përfaqësuesit politikë lokal ngulin këmbë se zgjedhjet duhet te mbahen si kusht për funksionimin e institucioneve të Serbisë në atë zonë. Ata kundërshtojnë çdo mundësi të shtrirjes së autoritetit të Prishtinës ne veri, ndërsa kanë penguar edhe sot për disa orë lëvizjen e trupave të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit. Përfaqësuesit e serbëve thanë se EULEX-i nuk po respekton një marrëveshje të arritur me ta, për lëvizje të kufizuar të pjesëtarëve të këtij misioni. Ndërkaq, zyrtarët e EULEX-it thanë se nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë marrëveshje, që kushtëzon lëvizjen e personelit dhe automjeteve të këtij misioni në veri. Në një komunikatë për opinion të këtij misioni thuhet se “ka pasur raporte në disa qarqe që EULEX-i ka qenë i përfshirë në një marrëveshje të tillë. Kjo është e pavërtetë. Misioni këmbëngul për qasje të lirë, të pakushtëzuar dhe të përhershme. Kjo është e panegociueshme dhe është një parakusht absolut për misionin për të ndjekur mandatin e tij për sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës”.

Në veri, përfaqësuesit serb thanë se pjesëtarët e xhandarmërisë së Serbisë kanë mbyllur rrugën alternative tek vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinë, të cilën serbët e shfrytëzonin për të shmangur vendkalimin zyrtar ku ndodhen policët dhe doganierët e Kosovës. Ata thanë se një veprim i tillë është përpjekje e Beogradit që të zbatojë plotësisht marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit që është arritur në dhjetor të vitit të shkuar në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG