Lidhje

Zv/Kryeministri Meta objekt i një filmimi të fshehtë në emisionin Fiks Fare


Zv/Kryeministri Meta objekt i një filmimi të fshehtë në emisionin Fiks Fare
Zv/Kryeministri Meta objekt i një filmimi të fshehtë në emisionin Fiks Fare

Videoja e shfaqur të martën gjatë emisionit Fiks Fare në Top Chanel rrezikon të marrë përmasat e një skandali. Ajo është regjistruar në zyrën e ish ministrit të ekonomisë Dritan Prifti në mars të vitit të kaluar kur ai mbulonte ende këtë detyrë dhe është e qartë se ajo është realizuar prej vetë atij. Në qendër është zëvendëskryeministri Ilir Meta i cili në atë periudhë drejtonte ministrinë e jashtme. Zoti Meta shfaqet duke nisur bisedën pasi nxjerr një bllok të cilit i referohet gjatë gjithë komunikimit me zotin Prifti duke i kërkuar llogari këtij të fundit për çështje që lidhen me emërime e deri te liçenca për hidrocentrale.

Kjo e fundit ngjan të jetë edhe çështja me kompromentuese. Nga biseda, zoti Meta këmbëngul që liçenca t’i jepet një të njohuri të tij, pavarësisht se siç kuptohet nga komunikimi mes të dyve, çështja është ende në proces gjyqësor. Por zëvendëskryeministri premton se edhe këtë aspekt në Gjykatën e Lartë mund ta zgjidhë ai pasi siç shprehet, ka marrëdhënie shumë të mira me kryetaren e kësaj gjykate duke qenë se i ka emëruar të bijën në ambasadë. Më pas zoti Meta thotë se për këtë liçence i premtohet ministrit 7 përqind, ndërsa më pas përmendet një shifër 700. Zoti Meta ndërhyn edhe për një tjetër person i cili mesa duket, duhet të hyjë në marrëdhënie me Albpetrolin duke kërkuar që ministri të anullojë një praktikë të mëparshme për t’i hapur rrugë të njohurit të tij. Sipas pamjeve të transmetuara mbrëmë nga Top Chanel, zoti Meta e ka ndjekur transmetimin e videos nga zyra e tij ku ka shkuar edhe ministri i brendshëm Lulëzim Basha dhe ministri i shëndetësisë Petrit Vasili, një nga drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Edhe më parë, pasi u largua nga Ministria e Ekonomisë me kërkesë të zotit Meta, ish ministri Prifti e kishte akuzuar publikisht kryetarin e LSI se i kishte kërkuar favore në kundërshtim me ligjin. Por pamjet e transmetuara mbrëmë përbëjnë një dëshmi të rëndë. Lëvizja Socialiste për Intregrim megjithatë është përpjekur ta minimizojë, duke u shprehur se ato nuk përbëjnë shqetësim pasi sipas saj janë një montim i poshtër dhe shfaqje të tilla janë pjellë e krimit të organizuar. LSI shprehet se kushdo që disponon prova e fakte t’i dorëzojë ato në prorkuori që të zbardhet e vërteta. Asnjë reagim nuk ka patur ndërkohë nga kryeministri i cili dy vjet më parë, po për shkak të një video të filmuar nga Fiks Fare shkarkoi menjëherë nga detyra ministrin e atëhershëm të kulturës Ylli Pango, i cili në atë kohë u dyshua për ngacmime seksuale.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG