Lidhje

Zjarrvënie dhe survejim gazetarëve investigativë në Ukrainë


Makina e djegur më 17 gusht në Brovary, Ukrainë, përdorej nga ekipi i emisionit "Skemat" për raportimin dhe hetimet e akuzave për korrupsion të nivelit të lartë
Makina e djegur më 17 gusht në Brovary, Ukrainë, përdorej nga ekipi i emisionit "Skemat" për raportimin dhe hetimet e akuzave për korrupsion të nivelit të lartë

Pamjet bardhë-e-zi nga kamerat e sigurisë tregojnë një person që ecën drejt makinës së ekipit të edicionit investigativ "Skemat", pak momente përpara se makina të ndizet në flakë.

Policia arrestoi të mërkurën dy të dyshuar në lidhje me zjarrvënien e 17 gushtit në Brovary, një qytet pranë kryeqytetit Kiev, si dhe po vazhdon hetimet, njoftoi në Twitter Ministri i Brendshëm Arsen Avakov.

Zjarrvënia ishte me sa duket sulmi i dytë këtë muaj ndaj programit "Skemat", pjesë e shërbimit në gjuhën ukrainase të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria që prodhon programin e përjavshëm televiziv në partneritet me transmetuesin publik ukrainas Pershiy Canal. Më 7 gusht, Mykhailo Tkach, një gazetar me emisionin "Skemat", tha se gjeti disa vrima të shpuara në tavanin e kuzhinës së tij që ai tha se ishin bërë gjatë përpjekjeve për të përgjuar apartamentin e tij.

Radio Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE/RL), si dhe Zëri i Amerikës, janë të dyja entitete të pavarura të financuara nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale.

"Të bezdisshëm" për zyrtarët

Zoti Tkach publikoi në Facebook pamjet e njërës prej vrimave në tavanin e apartamentit të tij që ndodhet në katin e sipërm të godinës. Në postim, zoti Tkach thotë se ishte paralajmëruar nga disa burime se "aktiviteti i tij si gazetar po bezdiste zyrtarë të nivelit të lartë".

Gazetarët e emisionit "Skemat" thanë në mediat sociale se mendojnë se zjarrvënia dhe përpjekja për të vendosur nën përgjim shtëpinë e zotit Tkach ishin kundërpërgjigje ndaj raportimeve të tyre. Makina së cilës iu vu zjarri përdorej nga ekipi i emisionit gjatë raportimeve dhe hetimeve të akuzave për korrupsion të nivelit të lartë.

Presidenti Zelenskiy duke folur me gazetarët
Presidenti Zelenskiy duke folur me gazetarët

Presidenti Volodymyr Zelenskiy u bëri thirrje forcave të rendit që të gjejnë sulmuesit me shpejtësi. Ai shtoi se gazetarët, përfshirë kritikët e tij, duhet të mbrohen.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme i tha Radios "Svoboda" të RFE / RL se policia po kërkonte të paktën dy të dyshuar të tjerë në lidhje me zjarrvënien.

Në incidentin e përgjimit të pretenduar, policia kreu një kontroll të thjeshtë, por u largua pa siguruar skenën, tha Natalie Sedletska, kryeredaktore e "Skemave", në një postim në Facebook.

Postimi shtoi se për të mos lejuar që provat të dëmtohen ose të ndryshohen, anëtarët e ekipit të lajmeve bënë roje derisa të rikthehej policia. Policia e Ukrainës nuk iu përgjigj emailit të Zërit të Amerikës ku kërkohej informacioni më i fundit për të dyja hetimet.

Emisioni "Skemat" ua tregoi filmimet e vrimave ekspertëve të pavarur, të cilët ranë dakord se ishin dëshmi e një përpjekjeje për të instaluar një pajisje regjistrimi. Ekspertët patën mendime të ndryshme rreth mundësive që pajisja të ishte instaluar dhe hequr më vonë, apo nëse këto shenja ishin shenja të përgatitjes.

Në një deklaratë, presidentja e përkohshme e RFE / RL, Daisy Sindelar, tha se ishte e trazuar nga këto sulme.

"Jemi të lehtësuar që askush nuk është lënduar, por të shqetësuar që ky incident duket të ketë për qëllim frikësimin e gazetarëve të RFE / RL dhe të kontribuojë për një mjedis kërcënues për gazetarët në mbarë Ukrainën", tha zonja Sindelar, duke bërë thirrje për një hetim të shpejtë.

Incidente të tjera

Gazetarët e ekipit të emisionit “Skemat” janë vënë edhe më parë në shënjestër. Ata janë sulmuar, ngacmuar dhe ndjekur dhe informacioni i tyre personal është postuar publikisht në internet.

Organizata lokale dhe ndërkombëtare të gazetarisë thanë se mendonin se sulmi i fundit ishte një përpjekje për t’u mbyllur gojën mediave investigative.

Scott Griffen, nëndrejtor i Institutit Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), një rrjet global gazetarësh, tha se gazetarët investigativë janë të rrezikuar nga sulme fizike dhe frikësime përmes presionit ligjor.

“Sulmet dhe përgjimet që kanë përjetuar gazetarët e ‘Skemat’ reflektojnë një mjedis më të gjerë ku gazetarët nuk janë të mbrojtur sa ç’duhet”, tha ai.

Duke i cilësuar incidentet si “veprime flagrante frikësimi” që vënë në shënjestër gazetarinë investigative, i tha zoti Griffen Zërit të Amerikës përmes një emaili.

“Për fat të keq shumë shpesh këto lloj sulmesh nuk dënohen në Ukrainë, duke sjellë si rezultat një klimë të vazhdueshme pandëshkueshmërie për sulmet ndaj shtypit”, tha ai.

Edhe koalicioni i gazetarëve në Ukrainë, “Media për një zgjedhje të përgjegjshme”, e dënoi sulmin me një deklaratë, duke thënë se ishte “e papranueshme që të vëzhgoheshin dhe të merreshin në pyetje gazetarët”, veçanërisht ata që njoftojnë për korrupsion në nivelet e larta të qeverisë.

Sulmet dhe presioni ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj atyre që hetojnë korrupsionin shumë të përhapur në Ukrainë, janë diçka e zakonshme, thotë organizata Freedom House. Kjo organizatë, që e radhit Ukrainën mes vendeve “pjesërisht të lira” në raportin “Liria në Botë”, vuri në dukje dështimin e policisë për të hetuar dhe për të dërguar para drejtësisë ata që sulmojnë ose vrasin gazetarët.

Rasti i një sulmi vdekjeprurës ndaj një gazetari investigativ në qytetin Cherkasy vitin e kaluar, mbetet i pazgjidhur. Vadym Komarov, një gazetar për një organ lokal mediash, vdiq nga plagosje në kokë, disa javë pasi u gjet pa ndjenja në rrugë. Ai u sulmua një ditë pasi shkruajti në median sociale se kishte në plan të botonte një artikull për dhënien e rryshfeteve, njofton IPI.

Organizata për lirinë e shtypit thotë se pandëshkueshmëria në këto raste u dërgon sulmuesve sinjalin se nuk do të kenë pasoja për veprimet e tyre, diçka që i ekspozon edhe më shumë gazetarët ndaj rrezikut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG