Banorët e Beogradit reaguan të hënën ndaj rezultateve të zgjedhjeve pasi presidenti i Serbisë deklaroi një fitore të thellë për partinë e tij të djathtë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura mes shqetësimeve për përhapjen e koronavirusit dhe një bojkot nga shumica e opozitës. Banorët shprehen se pjesëmarrja ishte e ulët dhe se ndjehen të zhgënjyer nga zgjedhjet.
Ndërkohë, edhe vëzhguesit ndërkombëtarë shprehën shqetësim për dominimin e zgjedhjeve nga partia në pushtet si dhe nga mungesa e diversitetit në media që kufizuan mundësitë e votuesve për të zgjedhur. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it bënë të ditura të hënën gjetjet e raportit të tyre paraprak ku thuhet gjithashtu se zgjedhjet ishin të organizuara në mënyrë efikase megjithë kushtet e vështira të pandemisë. Megjithatë, "...votuesit ishin të keqinformuar dhe të irrituar nga mungesa e qasjes në media të opozitës. Dominimi i partisë në pushtet rrezikon neutralitetin e institucioneve të vendit dhe kërkohet dialog për të tejkaluar ndasitë e thella politike dhe për të mbrojtur pluralizmin", tha Urszula Gacek, kryetare e misionit të posaçëm të ODIHR-it për vlerësimin e zgjedhjeve.
Aleksandar Vucic u tha mbështetësve se Partia e tij Progresive Serbe fitoi mbi 60% të votave, ose rreth 190 vende në parlamentin serb me 250 vende.
Rezultatet fillestare jozyrtare tregojnë se Serbia do të ketë një asamble unike, me praktikisht asnjë kundër dhe vetëm tre ose katër parti nga 21 që kandidonin. Socialistët aleatë të zotit Vuçiç pritet të marrin 10% në vendin e dytë në votime.
"Zgjedhjet nuk ishin me të vërtetë më të mirat. Pjesëmarrja në Beograd ishte e ulët, siç duket, sipas të dhënave që pashë këtë mëngjes. Në mbarë Serbinë ndoshta pjesëmarrja është më e lartë. Çfarë mund të them ... Opozita është në një rrëmujë totale. Kështu që, kjo është gjithçka", thotë Nemanja Kovaçeviç, banor i Beogradit.
Votimet e së dielës ishin zgjedhjet e para në rang kombëtar në Evropë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit. Të planifikuara fillimisht për në prill, ato u shtynë për shkak të pandemisë. Serbia ende raporton dhjetëra raste të reja çdo ditë, pasi lehtësoi plotësisht rregullat e saj të rrepta të izolimit.
Pjesëmarrja nga 6.6 milion votuesit që kishin të drejtë të votonin për parlamentin 250-anëtarësh të Serbisë dhe të zgjedhurit lokalë ishte më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme.
Megjithëse votuesit serbë nuk po zgjidhnin një president të dielën, zoti Vuçiç ka mbizotëruar fushatën përmes mediave kryesore që ai kontrollon, duke denoncuar dhe tallur kritikët e tij. Ai ka hedhur poshtë pretendimet e abuzimit me pushtetin e tij zyrtar ceremonial si president duke marrë një rol udhëheqës në fushatë.
"Jam i zhgënjyer sepse, për mendimin tim, këto zgjedhje na u imponuan plotësisht. Kishte një presion të vazhdueshëm gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe fushatës elektorale, e cila nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet parlamentare pasi Vuçiç ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës sikur këto të ishin zgjedhje presidenciale dhe jo ato parlamentare. Me fjalë të tjera, nuk ka SNS (Partia Progresive Serbe) - është vetëm ai", thotë Goran Tomiç, banor i Beogradit.
Duke përmendur mungesën e kushteve të votimit të lirë dhe të drejtë dhe një rrezik për shëndetin publik, disa parti kryesore të opozitës bojkotuan votimin.
Ndërsa zoti Vuçiç tani thotë se kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian për Serbinë, kritikët paralajmërojnë se liritë demokratike janë dëmtuar që kur partia e tij erdhi në pushtet në 2012.
Presidenti autokratik u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të votojnë në masë për të marrë një mandat të fortë për negociatat e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët me Kosovën.
Një samit Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara do të mbahet në Uashington në 27 qershor, ndërsa zyrtarët e BE-së kanë njoftuar planet për të rifilluar negociatat e ndërmjetësuara nga Brukseli.
Serbia nuk ka pranuar të njohë pavarësinë e Kosovës dhe ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në këtë mosmarrëveshje.
Facebook Forum