Pas diskutimeve të javës së shkuar në takimin ndërparlamentar Bashkim Europian - Shqipëri, situata e tensionuar në vend pas zgjedhjeve të 8 majit ishte sot pjesë e diskutimeve edhe në takimin e ministrave të jashtë të 27 vendeve europiane. Një takim i cili doli me disa përfundime për zhvillimet në Shqipëri. Ndërsa vëren se zgjedhjet e 8 majit “u zhvilluan përgjithësisht në një mënyrë transparente dhe konkurruese, ndonëse me vështirësi proceduriale, situata në Tiranë – shtopjnë ministrat europian - përbën një cështje shqetësuese. BE-ja shpreh keqardhjen për përkeqësimin e situatës politike dhe rritjen e tensioneve të cilat pasuan zgjedhjet dhe zhvillimin e procesit”, shkruhet në përfundimet e tyre.
Në deklaratën për Shqipërinë, nënvizohet se “është thelbësore që procesi zgjedhor, përfshirë procedurat e ankimimit dhe të deklarimit të rezultatit përfundimtar nga ana e Komisionit zgjedhor, duhet të përmbyllet në mënyrë transparente, të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues. Eshtë gjithashtu thelbësore për të gjitha palët të njohin supremacinë e shtetit ligjore mbi cdo interes tjetër”, shprehen ministrat e jashtëm sipas të cilëve në qendër të vëmendjes duhet të jetë e ardhmja europiane e vendit
Sipas Bashkimit Europian “është thelbësore që qeveria dhe opozita të arrijnë një marrëveshje për një reformë të thellë zgjedhore para zgjedhjeve të ardhshme e cila duhet të mbajë parasysh rekomandimet e Osbe/Odihr-it që nga viti 2007”.
Por palët gjithashtu, duhet të “rivendosin me urgjencë dialogun politik dhe të tejkalojnë ngërcin e gjatë politik. Ky dialog – nënvizohet në deklaratën për Shqipërinë - është i dmosdoshëm për funksionimin normal të cdo shoqërie demokratike dhe institucioneve të saj, përfshirë funksionimin efektiv të parlamentit, ashtu dhe për përparimin e integrimit europian të vendit. Be – thuhet më tej, nxit autoritetet shqiptare të ripërtërisin dhe të forcojnë përpjekjet për axhendën e reformave dhe zbatimin e tyre. Këto – vlerësojnë ministrat e jashtëm europian - janë thelbësore për të arritur përshtatjen e nevojshme me kriteret e Kopenhagenit, përfshirë 12 prioritetet kyce të identifikuara nga Komisioni europian. Vetëm në përmbushjen e sa më sipër Shqipëria do të jetë në gjendje të ecë drejt BE”, vënë në dukje të 27 ministrat e jashtëm.
Deklarata u përshëndet sot nga kryeministri Sali Berisha i cili ftoi opozitën të bashkëpunojë për reformën zgjedhore duke përsërituir ftesën që ajo të hartojë amendamentet e nevojshme. Gjithashtju ai tha se emërimet në institucionet që kërkojnë tre të pestat do t’i lihen opozitës e po ashtu premtyoi se rekomandimet e saj në të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar do të merren parasysh. “Takimi i sotëm i Luksemburgut është një thirrje në interesin më të mirë të çdo qytetari të këtij vendi, të çdo force politike të këtij vendi. Është një ofertë jashtëzakonisht e rëndësishme, në mënyrë që procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian të ecë me ritmet e merituara. Uroj që të lexohet njëlloj nga të gjitha forcat politike të vendit. Garantoj partnerët tanë se qeveria do të bëj gjithçka për funksionimin e shtetit ligjor dhe respektin e tij, funksionimin e institucioneve kushtetuese, dialogun dhe bashkëpunimin kushtetues me opozitën dhe forcat politike të vendit”, deklaroi kryeministri.