Lidhje

Zannier: UNMIK-u mund të luajë një rol lehtësues në Kosovë


Zannier: UNMIK-u mund të luajë një rol lehtësues në Kosovë
Zannier: UNMIK-u mund të luajë një rol lehtësues në Kosovë

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, i tha Zërit të Amerikës se UNMIK-u ende mund të luajë një rol lehtësues, megjithë funksionet gjithnjë e më të mëdha që po merr misioni evropian në Kosovë, EULEX. Ai i bëri komentet pas një sesioni të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të zhvilluar mbrëmë në Nju Jork, ku ministri i jashtëm i Serbisë nguli këmbë se akuzat për trafikim organesh në Kosovë duhet të hetohen nga një mekanizëm i Këshillit të Sigurimit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, tha se UNMIK-u nuk do të marrë pjesë në hetime të tilla. UNMIK-u, tha ai, është zvogëluar për nga prania dhe roli i tij dhe nuk ka më hetues apo gjykatës. Por, tha zoti Zannier, UNMIK-u mund të ketë një rol bashkëpunues dhe ky bashkëpunim mund të konsistonte në shkëmbimin e informacionit që ai mund të ketë për një ngjarje të caktuar.

"Ne kemi patur një bashkëpunim të tillë edhe me Gjykatën e Hagës në të kaluarën. Po kështu ne mund të lehtësonim transferimin e informacionit drejt Këshillit të Sigurimit. Gjithsesi, nuk ka ndonjë rrezik për hetime paralele nga ana e UNMIK-ut."

I pyetur se përse janë rralluar takimet e tij me udhëheqësit e Kosovës, zoti Zannier tha:

"Duhet të pyesni ata. Mandati im, që është thjesht administrativ, perceptohet si një mandat që kufizon sovranitetin e Kosovës, prandaj kjo mund të ketë krijuar një farë ngurrimi. Por mendoj se me kalimin e kohës është kuptuar tashmë se mandati im mund të jetë i dobishëm për Kosovën."

Shefi i UNMIK-ut tha se tani në Kosovë ka një qëndrim më pragmatik dhe më konstruktiv për të përdorur të gjitha mjetet që janë në dispozicion, duke përfshirë edhe OKB-në, për të lehtësuar angazhimin e jashtëm të Kosovës, por edhe në frontin e brendshëm për të lehtësuar angazhimin me komunitetet.

Natyrisht, tha zoti Zannier, Kosova synon të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara prandaj po kuptohet se të kundërshtosh OKB-në nuk është një politikë e mirë afatgjatë për Kosovën.

I pyetur se kur parashikon që UNMIK-u ta përfundojë misionin e tij në Kosovë, ai tha se kjo është e vështirë të parashikohet.

"Përgjigja e thjeshtë është: kur këtë ta vendosë Këshilli i Sigurimit. Por me hamendje do të thosha se kjo do të ndodhë kur anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe, natyrisht kur pala kosovare dhe ajo serbe të ndihen më të qetë lidhur me gjendjen në Kosovë si dhe kur faktori evropian të luajë një rol të rëndësishëm."

Zoti Zannier tha se në këtë kontekst evropianët po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG