Udhëheqës në mbarë botën e dënuan përpjekjen për grusht shteti në Turqi, duke shprehur mbështetjen e tyre për qeverinë turke të zgjedhur përmes votës së popullit. Zëdhënësi i OKB-së tha se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon u shpreh se “çdo ndërhyrje ushtarake në punët e brendshme të shtetit është e papranueshme”.
Përmes një deklarate, pas një takimi me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare, Presidenti Obama i bëri thirrje të gjitha palëve në Turqi të mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti diskutoi mbrëmë në telefon me sekretarin e Shtetit John Kerry. Ata ishin të mendimit për mbështetjen e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike në Turqi dhe për shmangien e dhunës dhe gjakderdhjes.
Zoti Kerry theksoi se Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të përqëndrohet tek siguria e shtetasve të Turqisë. Përmes një deklarate, zoti Kerry tha se “Shtetet e Bashkuara në mënyrë absolute mbështesin qeverinë dhe institucionet e zgjedhura në mënyrë demokratike të Turqisë dhe kërkoi që të gjitha palët të siguronin mirëqenien dhe sigurinë e personelit diplomatik dhe civilëve në të gjithë Turqinë.” Ai tha se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë qeverinë e Turqisë për hetimet lidhur me grushtin e shtetit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se ishte në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu dhe bëri thirrje për qetësi dhe respektimin e institucioneve demokratike dhe të kushtetutës së Turqisë. “Turqia është anëtare e rëndësishme e NATO-s,” - tha ai përmes një deklarate.
Këshilli i Europës bëri thirrje për kthimin në normalitet të institcioneve publike të Turqisë dhe ofroi ndihmë për hetimet. Deklarata për respektimin e rendit demokratik në Turqi bënë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson, ministri i jashtëm italian Paolo Gentiloni dhe presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud.
Russia, përmes një deklarate, shprehu gatishmërinë "për një bashkëpunim konstruktiv me udhëheqësit legjitimë të Turqisë, në kushtet e kërcënimeve terroriste dhe të konfliktit të amrmatosur në rajon, që përbëjnë rrezik për stabilitetin ndërkombëtar dhe rajonal", thuhet në deklaratën e Moskës.