Banka Botërore tha të mërkurën se ekonomia e Kosovës do të ketë rënie prej 8.8 për qind në vitin 2020, një parashikim ky më i rëndë se para gjashtë muajsh.
Ky përfundim është pjesë e raportit për ekonomitë në rajonin Evropës dhe Azisë Qendrore, në të cilin thuhet se “pandemia COVID-19 ka shkaktuar rënie në eksportin e shërbimeve dhe zvogëlim të investimeve dhe konsumit”.
Banka Botërore thotë se “tkurrja ekonomike është kryesisht pasojë e rënies së eksporteve të shërbimeve për shkak të vizitave të kufizuara nga diaspora, konsumit më të ulët privat dhe kufizimit të investimeve private për shkak të pasigurisë së shtuar. Kjo gjithashtu pasqyrohet në një rënie të paparë të importeve të mallrave”.
Megjithatë sipas këtij raporti, rritja e eksporteve të metaleve bazë dhe dërgesave nga diaspora ka zbutur ndikimin e pandemisë.
Deficiti i përgjithshëm buxhetor pritet të arrij në 9.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për shkak të rënies së të ardhurave publike dhe rritjes së shpenzimeve për t’iu përgjigjur krizës të shkaktuar nga pandemia.
Po ashtu sipas Bankës Botërore, kriza e COVID-19 pritet të zvogëlojë vendet e punës dhe pavarësisht nga masat e miratuara nga qeveria për t’i mbrojtur ato dhe të ardhurat, varfëria pritet të rritet me rreth 5 për qind.
Në vitin 2021, Banka Botërore parasheh një rritje ekonomike prej 3.7 për qind për Kosovën. Kjo rritje do të varet nga ripërtëritja ekonomike e vendeve të Bashkimit Evropian dhe nga vënia nën kontroll e pandemisë.
Facebook Forum