Problemi i trafikut të grave dhe vajzave vazhdon të kërkojë vëmendjen e shumë organizatave jo-qeveritare që veprojnë në Shqipëri. Një prej tyre është edhe Shoqata e Grave dhe Vajzave Shqiptare e cila ka ndihmuar për më shumë se një dekadë qindra vajza të trafikuara të riintegrohen në shoqëri. Në një diskutim dje këtu në Uashington, themeluesja e kësaj organizate Amy Sebes paraqiti për komunitetin e diasporës sfidat me të cilat përballen gratë e traumatizuara nga ky fenomen negativ që vazhdon të lerë gjurmë në jetët e shumë të rejave shqiptare.
Amy Sebes e njeh mirë problemin e trafikimit të grave dhe vajzave dhe traumat e shkaktuara prej tij. Shoqata e Grave dhe Vajzave Shqiptare AAGW që ajo themeloi 15 vjet më parë u ka dhënë mbështetje sociale dhe emocionale qindra grave të trafikuara shqiptare duke i ndihmuar ato të fuqizohen dhe të riintegrohen në shoqëri.
Megjithëse numri i vajzave të trafikuara jashtë vendit ka vazhduar të bjerë, ajo e sheh me shqetësim një prirje e re – trafikimin brenda vendit.
“Trafikimi brenda Shqipërisë është rritur veçanërisht nga qytetet e vogla për në qytetet e mëdha dhe sidomos në Durrës gjatë muajve të verës. Kjo është një gjë shqetësuese”.
Zëri i vajzave të trafikuara që kanë gjetur strehë dhe mbështjetje nga Shoqata e Grave dhe Vajzave i bëri më të prekshme sfidat e tyre për pjesëmarrësit që ishin mbledhur në ambjentet e organizatës jo-fitimprurëse Open Gov Hub.
Është vërtetë një punë e palodhur dhe për t’u admiruar thotë anëtarja e Federatës PanShqiptare Vatra, Teuta Buçaj:
“Jam shumë e prekur nga puna që ajo ka bërë për të ndihmuar viktimat e trafikut. Si anëtare e Vatrës ne duam të ngremë ndërgjegjësimin për këtë problem për të ndihmuar gratë e Shqipërisë dhe shqiptarët kudo”.
Sara Çapaliku ka punuar në Shqipëri me organizatat joqeveritare që ndihmojnë gratë e trafikuara. Ajo thotë se ka ende shumë për t’u bërë në sensibilizimin e shoqërisë ndaj këtij fenomeni negativ.
“Nuk ka sensibilizim të mjaftueshëm, pra njerëzit mendojnë se kjo çështje nuk vazhdon dhe nuk përsëritet më, por vetëm ka arritur të jetë më e rafinuar si metodë. Nuk mendoj se Shqipëria është më e sensibilizuar dhe nuk mendoj se shteti ka bërë ndonjë punë të madhe për të investuar në riintegrimin apo dhe shpëtimin e këtyre viktimave”.
Ambasadorja e Shqipërisë në Uashington, Floreta Faber tha se përtej sfidave, Shqipëria ka rritur përfaqësimit të grave në nivele drejtuese dhe e njeh potencialin e tyre si motor për një shoqëri më të avancuar.
“Sot kemi mbi 50 përqind të administratës që drejtohen nga gra, të niveleve të larta menaxheriale që drejtohen nga gra, kemi 30 përqind të anëtareve të parlamentit gra dhe do të thoja një numër i madh i ambasadoreve në vende të ndryshme të botës janë po gra. Kjo ka rritur besimin e brendshëm për të numër të madh grash të tjera që edhe ato mund të jenë pjesë e kësaj përpjekje të madhe për zhvillimin e shoqërisë”.
Valerie Biberaj drejtoreshë ekzekutive, Fondacioni “Kate Spade”, Nju Jork, thotë:
“Koha në të cilën jetojmë është koha më e mirë që ka qënë ndonjëherë për të qënë grua. Më shumë gra se kurrë më parë po kuptojnë potencialin që kanë brenda vetes dhe mundësitë që kanë. Përmes qasjes që sjell teknologjia, ato shohin se çfarë aftësish kanë gratë e tjera dhe kuptojnë se edhe ato mund të ndjekin shkollimin, karrierën dhe të ketë një jetë ndryshe nga ajo që kanë”.
Pjesëmarrësit dërguan mesazhe frymëzuese për viktimat e trafikimit duke hedhur në letër fjalë inkurajuese për të gjitha ato gra dhe vajza që ende përballen me pasojat e një beteje të gjatë por ende të prekshme në Shqipëri.
Facebook Forum