Dy vajza amerikane kanë shënuar një arritje historike për ushtrinë amerikane, duke dhënë prova për guximin e tyre të madh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carla Babb njofton nga baza ushtarake Fort Benning në shtetin e Xhorxhias, ku disa ditë më parë u diplomuan në shkollën e vështirë për t'u bërë anëtarë të njësive elitë Rejnxhërs, 94 djem dhe këto dy vajza.
… Pas shumë javësh me vështirësi dhe urdhëra ushtarake, që venë në provë fuqinë mendore dhe fizike:
“Ndjen uri dhe lodhje të paparë dhe je gati t'i japësh fund kësaj gjendjeje "- thotë një kjo e diplomuar
Rejnxhërs thirren në detyrë ditën dhe natën; u ngjiten maleve, apo në ecje të mundimshme nëpër moçale. Prandaj dhe gjashtë në dhjetë ushtarë të zgjedhur për këtë kurs nuk e çojnë atë dot deri në fund…
“Nuk merr dot asnjë ditë pushim. Nuk mund të tregosh lodhjen, duhet ta vazhdosh stërvitjen…"- thotë kjo ushtare.
Kështu vepruan Kristen Griest dhe Shaye Haver:
“Vendosëm të përpiqemi si të tjerët, për ta çuar deri në fund kursin dhe ja dolëm në krye!", - thotë Shaye
Suksesi i tyre i ka bërë përshtypje njerëzve që i rrethojnë, duke provuar atë që ekspertët e quajnë ndryshim të konceptit:
"Kjo e hedh poshtë idenë se gratë nuk janë në gjendje të kalojnë prova të vështira dhe tregon gjithashtu se mundet që ky perceptim të ndryshojë." - thotë një ushtarake.
"Nuk dua t'ja di në se kursantët janë djem, apo vajza. Në se kanë shenjën e rejnxhërave, dua të më ndjekin mua dhe këto dy vajza treguan se mund ta bëjnë këtë; unë e di se mund të kem besim tek ato dhe shpresoj që dhe ato kanë besim tek mua,"- thotë trajnuesi.
Dy vajzat i lavdëroi edhe komandanti i stërvitjes:
“Jam jashtëzakonisht krenar për to dhe do të shërbeja krahas secilës prej tyre përsëri në të ardhmen."
Në nëntor kursin do ta ndjekin vajza të tjera, me shpresën për t'u bërë rejnxhër.
Kjo risi ndodh ndërsa ushtria po shqyrton mundësinë e integrimit të grave në role që historikisht i kanë patur burrat.