Lidhje

Fuqizimi ekonomik i grave në Kosovë


Fuqizimi i grave dhe barazia gjinore është një nga Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit, të parashtruara nga Kombet e Bashkuara, dhe përmbushja e këtij objektivi është një sfidë për Kosovën. Ekonomia e dobët, praktikat kulturore, diskriminimi në tregun e punës, madje edhe të drejtat e pronësisë dhe trashëgimisë përbëjnë disa nga pengesat në përmirësimin e situatës. Mirlinda Kusari Purrini, themeluesja dhe drejtorja ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-ERA”, bisedoi me Zërin e Amerikës rreth situatës së grave në Kosovë dhe eksperiencës me organizatën e saj.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gratë kanë një shkallë të lartë mospjesëmarrjeje në tregun e punës, me 81,9% të tyre që nuk janë aktive. Sipas saj: rreth 39% kujdesen për fëmijët ose të moshuarit, 16% janë në shkollë, dhe rreth 15% thonë se nuk janë në gjendje të gjejnë vend pune. Problem mbetet edhe praktika e trashëgimisë së pronave të patundshme, të cilat në shumicën e rasteve i lihen meshkujve. Kjo do të thotë se gratë të cilat kanë ambicie për të investuar në një biznes të vogël ose të mesëm, nuk kanë qasje në kredi nga banka komerciale për shkak të mungesës së kolateralit. Në fakt, vetëm 3% të kredive nga bankat komerciale i jepen grave në Kosovë.

Por themeluesja dhe drejtorja ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-ERA”, Zonja Mirlinda Kusari Purrini thotë se situata është përmirësuar disi nga më parë:

“Në këtë drejtim ka zhvillime; më parë nuk ka pas. Mirëpo tani ka sepse edhe politikat bankare kanë ndryshuar, dhe ka edhe grante të cilat zbatohen përmes bankave të ndryshme të cilat operojnë në Kosovë për t’i ndihmuar gratë në biznes” tha ajo.

Zonja Kusari Purrini përmendi programe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Fondin Garantues të Kosovës si shembuj për ndryshim pozitiv në Kosovë.

Por, shumica e grave që janë aktive në tregun e punës punojnë në fusha në të cilat ka më pak përfitime, si ato të shërbimeve.

Për më tepër, 99,9% të bizneseve të menaxhuara nga gratë janë biznese mikro, me përfitime jashtë mase të vogla:

“Nëse shikojmë realitetin në Kosovë, atëherë, është një numër shumë i vogël i grave të cilat me të vërtetë kanë një biznes që mund ta quaj të mesëm. Mirëpo shumica e tyre merren me biznese mikro dhe të vogla”.

Puna e organizatave si “SHE-ERA” fokusohet në përmirësimin e situatës në mënyrë që gratë të rrisin bizneset nga mikro në të vogla. Por sfidë e madhe për ta është se gjithmonë ekziston pasiguria që projektet t’iu mos aprovohen pavarësisht nevojës, pasi varen nga donatorët:

“Sfidë për neve është se nuk kemi qëndrueshmëri. Është një rrugë shumë e vështirë, sidomos kur kemi kërkesa dhe kur i shohim nevojat, pasi gjatë gjithë kohës ne jemi në terren dhe ballafaqohemi me probleme të ndryshme për të cilat komuniteti ka nevojë për neve.”

Pavarësisht sfidave, ata i ofrojnë grave një sërë shërbimesh që t’i ndihmojnë me hapjen dhe mbarëvajtjen e bizneseve të zgjedhura:

“Ju ofrojmë këshilla, trajnime, mundohemi që t’i përgatitim për tregun e punës” tha zonja Kusari Purrini.

A ka arsye për shpresë se situata po përmirësohet? Zonja Kusari Purrini thotë se:

“Për momentin, nuk shohim ndonjë përparim, por shpresojmë që në të ardhmen po, pse jo? Sepse ne gjatë gjithë kohës luftojmë që të kemi një progres më të madh, luftojmë për të drejtat tona ku të kemi atë pozitën e njëjtë dhe të barabartë në shoqëri si gjithë të tjerët.

Për shkak të situatës së dobët ekonomike dhe problemeve shoqërore me barazinë gjinore, situata lë shumë për të dëshiruar, por kjo do të thotë se mundësia për përmirësim është jashtë mase e madhe.

XS
SM
MD
LG