Lidhje

William Burns: Nuk inkurajojmë asgjë që dëmton pavarësinë e Kosovës


William Burns: Nuk inkurajojmë asgjë që dëmton pavarësinë e Kosovës
William Burns: Nuk inkurajojmë asgjë që dëmton pavarësinë e Kosovës

Zëvendës-sekretari amerikan i Shtetit, William Burns ka deklaruar sot në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën dhe nuk do të inkurajojnë asnjë hap që do të dëmtojë pavarësinë e saj. Ai citohet t’i ketë bërë këto komente gjatë takimeve me udhëheqësit më të lartë vendas e ndërkombëtarë në Prishtinë, ku sot po qëndron për një vizitë në kuadër të turneut në vendet e Ballkanit perëndimor.

Zëvendës-sekretari Burns në orët e mbrëmjes vizitoi edhe Manastirin mesjetar të Graçanicës, ku është takuar edhe më përfaqësues të komunave të reja me shumicë serbe.

Vizita e zëvendës-sekretarit amerikan ndodh një ditë pasi Kosova shënoi katër vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj dhe në një periudhë të përpjekjeve për të siguruar vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Këto bisedime kanë ngecur për shkak të mospajtimeve rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale.

Serbia ngulë këmbë që Kosova të përfaqësohet nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Prishtina hedh poshtë një gjë të tillë. Mediat në Kosovë shkruajnë se Prishtina është shprehur e gatshme të prezantohet në forumet rajonale përmes një marrëveshjeje e cila merr parasysh Rezolutën 1244, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Në një komunikatë për opinion të zyrës së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, ajo citohet t’i ketë thënë zotit Burns se me “propozimet për diskutim në raundin e ri të bisedimeve duhet pasur parasysh që të mos cenohet shtetësia e Kosovës”.

Sipas presidentes Jahjaga, “Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në bisedime si dy subjekte të barabarta dhe të pavarura dhe se Kosova si shtet sovran dhe i pavarur duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera në rajon”.

Në komunikatë citohet zoti Burns të ketë thënë se “Shtetet e Bashkuara i japin mbështetje Kosovës në të gjitha proceset dhe se ato janë të interesuara për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike”. Po ashtu ai citohet të ketë thënë se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në skenën ndërkombëtare, rajonale dhe atë të brendshme dhe nuk do të inkurajojnë asnjë hap që do të dëmtojë pavarësinë e saj”.

Vazhdimi i bisedimeve është një nga kushtet që Beogradi duhet të plotësojë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zoti Burns erdhi në Prishtinë nga Beogradi ku kishte shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Serbinë që të marrë statusin e vendit kandidat.

Serbia dështoi të marrë këtë status në dhjetor të vitit të kaluar për shkak të situatës në veriun e Kosovës, ku serbët po mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë. Për dy ditë më radhe atje është votuar në një referendum të organizuar nga serbët lokal, në të cilin siç thuhet mbi 99 për qind e pjesëmarrësve janë deklaruar kundër njohjes së institucioneve të Prishtinës. Ndonëse komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet e Prishtinës thonë se ky referendum nuk do të ketë ndikim në zhvillimet politike, Beogradi druan se ai do të ndikojë në përpjekjet e Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat.

Zëvendës-sekretari Burns dhe ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, nënshkruan sot një marrëveshje për Statusin e Forcave, që siç thuhet, riafirmon dhe forcon partneritetin e thellë mes dy shteteve. Kjo mbështet bashkëpunimin dhe partneritetin tonë aktual për të përparuar sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe për të ndihmuar qëndrueshmërinë dhe paqen në Ballkan. Kjo marrëveshje siguron kuadrin ligjor brenda të cilit personeli civil i ushtrisë amerikane dhe Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të cilët nuk janë pjesë e misionit të NATO-s, do të veprojnë në Kosovë dhe këtu përfshihet personeli që do të mbështesë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG