Lidhje

Analistë evropianë dhe amerikanë për qasjen transatlantike ndaj Ballkanit pas 20 janarit


Ilustrim
Ilustrim

Analistët Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri dhe Edward Joseph, profesor i Universitetit Johns Hopkins, thanë të enjten se ndryshimet në administratën amerikane pritet të ndryshojnë edhe marrëdhëniet transatlantike si dhe qasjen ndaj çështjeve të pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë një debati për këtë çështje të organizuar nga portali Balkaninsider, analisti Bieber, tha se do të ishte nënvlerësim të thuhet se marrëdhëniet transatlantike nuk ishin ideale në katër vitet e fundit. Ato ishin madje shumë përçarëse kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, tha ai.

Ndonëse ka pasur disa suksese përgjatë kësaj periudhë përfshirë anëtarësimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO, tha ai, pati edhe shumë mangësi.

Florian Bieber
Florian Bieber

“Kishim bisedime paralele ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një palë të ndërmjetësuara nga (ambasadori) Richard Grenell dhe Shtetet e Bashkuara dhe një palë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe i dërguari i saj, Miroslav Lajçak”, tha ai duke nënvizuar se kjo dërgoi mesazhe të përziera.

Ai tha se është me rëndësi që pas 20 janarit kur inaugurohet presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, të ripërtërihet qasja e përbashkët transatlantike.

Zoti Bieber tha se zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor është në krizë të thellë dhe kjo çështje nuk mund të përmbyllet pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Ai tha se rajoni ka probleme të pambyllura siç janë bisedimet Kosovë-Serbi që nuk duket se janë afër fundit apo situata në Bosnje dhe problemet e demokratizimit në rajon.

“Problem i madh është Serbia që është vendi më i madh dhe është e pamundur të zgjidhen problemet pa një Serbi demokratike. Serbia është sot me larg demokracisë sesa që ishte në cilëndo kohë që nga rënia e qeverisë së (Slobodan) Milosheviçit dhe kjo është sfidë e madhe”, tha ai, duke nënvizuar se nuk mjafton kthimi në normalitet në Shtetet e Bashkuara për të trajtuar këto çështje, por duhet një strategji e përbashkët transatlantike.

Analisti Joseph, tërhoqi vëmendjen në sulmin e javës së kaluar në Kapitol duke theksuar se ajo ka ngritur pikëpyetjen nëse Shtetet e Bashkuara mund të jenë ende nxitëse të demokracisë në botë.

Ai tha se pas administratës së presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të punojnë së bashku, posaçërisht në Ballkan, “por ka një problem në këtë mes: nëse shihni më afër në administratën Trump, gabimi me i madh në Ballkan ishte produkt i bashkëpunimit transatlantik, që është ideja e shkëmbimit të territoreve në Kosovë”.

Edward Joseph
Edward Joseph

“Mund të thoni se kjo ka marrë fund dhe Washingotni e Brukseli e kanë hedhur poshtë këtë, por nuk është kështu, sepse mentaliteti që solli idenë për shkëmbimin e territoreve është ende i pranishëm. Dhe kjo është një nga sfidat për të cilat duhet të mendojmë”, tha zoti Joseph, duke nënvizuar se bashkëpunimi transatlantik nuk sjell vetvetiu politika të mira.

Ai tha se diplomatët që ishin pajtuar me shkëmbimin e territoreve dhe nuk ishin vetëm John Bolton dhe Federica Mogherini, por kishte edhe të tjerë në burokracitë e Washingtoni dhe Brukselit, e bënë këtë sepse menduan se nuk kishin alternativë.

“Nuk kemi një levë për Aleksandër Vuçiçin dhe do t’i japim atë që ai dëshiron: territorin. Dhe cili është rreziku në këtë? Kur e bëni këtë jo vetëm që krijoni precedent të tmerrshëm dhe këtë zgjidhje shumë problematike, por, i komunikoni Aleksandër Vuçiçit se pajtohemi me ty, sepse ti e mban levën dhe jo ne”, tha ai duke ritheksuar se perëndimi nuk po e sfidon autokracinë e presidentit serb, i cili tha ai, jo vetëm ka mbytur zërin e opozitës por edhe të medies në Serbi.

Ai tha se të dyja palët duhet të jenë të çiltra në bashkëpunimin transatlantik, ndërsa vuri theksin tek “lodhja” e BE-së nga zgjerimi si dhe mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Të dy analistët thanë se normalizimi i marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zëvendësohet nga normalizimi i marrëdhënieve ekonomike.

Zoti Joseph tha se dakordimi i 4 shtatorit që u arrit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dy anët e tij:

“Aspekti negativ është se zbuti trysninë në palën më kokëfortë që është Beogradi, që është presidenti Vuçiç”, tha ai.

“Aspekti pozitiv është se disa elemente ekonomike të dakordimit janë të mira”, por këto nuk mjaftojnë për të ndryshuar situatën, tha ai duke marrë shembull faktin se Greqia dhe Maqedonia e Veriut për 20 vjet kishin marrëdhënie të mira ekonomike por Maqedonia e Veriut pengohej për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG