Lidhje

Analistët: Mungesa e pranisë së BE, SHBA i lë hapësirë krizave, polarizimit në Ballkan


Ekspertë të çështjeve të Ballkanit bënë thirrje në Uashington për një rikonfirmim të angazhimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur rajoni përballet me disa kriza politike. Në një diskutim në Freedom House në Uashington ata folën për rreziqet e një politike euroatlantike që i jep përparësi stabilitetit në dëm të reformave dhe ia atribuan gjendjen e krijuar polarizimit dhe mungesës së një sinjali të qartë nga BE dhe SHBA.

Ekspertët mbi situatën në Ballkan
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:28 0:00

Me një numër krizazh në rajon analistët shprehën shqetësimin për një angazhim të pamjaftueshëm nga jashtë dhe mungesë vullneti politik për reforma nga brenda vendeve të rajonit.

“Kemi një lojë shtirjesh që mund ta quajmë bllofi i zgjerimit. Vende anëtare që bëjnë sikur ende vazhdojnë të jenë të interesuara për anëtarësim dhe nga ana tjetër elita politike në rajon që bëjnë sikur janë të interesuara të bëjnë reforma”, thotë Nikola Dimitrov.

Ai është anëtar i Grupit Këshillues i Politikave për Ballkanin në Evropë dhe ish-ambasador i Maqedonisë në Hollandë.

Kriza në Maqedoni

“Në vendin tim, fatkeqësisht kemi një regjim që duket se nuk pranon të lejojë transferimin paqësor të pushtetit, pasi dështoi të formonte një shumicë parlamentare, një demokraci parlamentare. Jo vetëm kaq por lejoi turmat të hynin në parlament dhe të rrihnin anëtarë të parlamentit, në emër të ‘mbrojtjes së vendit’”, thotë zoti Dimitrov.

Duke folur për krizën e stërgjatur politike, Zoti Dimitrov tha se sfidat me të cilat përballet Maqedonia nuk janë të veçanta.

“Ndryshimi është se me përgjimin, makineria e abuzimeve me detyrën ka dalë krejtësisht në dritë”.

Rreziku i politikës së stabilitetit në rajon

Ivana Cvetcovic Bajrovic, nëndrejtore e Fondacionit Kombëtar për Demokraci në Uashington, kritikon politikën që ka përdorur BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara në pothuajse dhjete vjetët e fundit.

“Politika e stabilitetit që po përdor BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara jo vetëm ka krijuar hapësirën që të veprojnë udhëheqës autoritarë, por madje i ka forcuar pozitat e tyre, jo vetëm me mungesën e angazhimit të tyre, por duke preferuar të punojnë me udhëheqës shumë të fortë që mund të arrijnë synime afatshkurtra, përsa kohë që atë nuk shkaktojnë pasoja të dukshme tek marrëdhëniet rajonale”.

Por ajo shton se kjo ka shkaktuar pasoja në stabilitetin e brendshëm, tek demokracia, liria e shtypit dhe marrëdhëniet ndëretnike.

Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit, në Austri tha se dinamikat e brendshme në vendet e rajonit janë një përgjigje ndaj faktit që 10 vjet përpara mesazhi ishte i qartë për kryerjen e reformave dhe ndërtimin e institucioneve, pakicat dhe kufijtë por sot nuk është e njëjta energji.

“Kemi qeveri në rajon që janë pro-evropiane, por një mënyrë oportuniste. Ata janë në favor të Bashkimit Evropian dhe reformave, sepse së pari ashtu i marrin shpërblim nga jashtë dhe prestigj, fitojnë mundësinë që të shihen duke shtrënguar duart në Berlin, apo kryeqytete të tjera dhe këtë gjithashtu duan qytetarët: anëtarësim në BE, të jetojnë në demokraci të qëndrueshme. Dhe prandaj e ofrojnë një gjë të tillë, jo sepse janë të përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve por sepse janë shumë oportunistë”.

Analistët bien dakord se stabiliteti në vend të reformave është një synim afatshkurtër dhe se kjo u krijon kushtet udhëheqësve autoritarë të prodhojnë kriza.

Këto regjime prodhojnë kriza që të mund të pretendojnë se do ta zgjidhin krizën që krijuan dhe kjo është një lojë e rrezikshme dhe që nuk ka gjasa të krijojë stabilitet në këndvështrimin afatgjatë”, thotë zoti Bieber.

Por krizat thotë ai krijohen edhe si rezultat i mungesës së vëmendjes nga Bashkimi Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Kriza politike në Shqipëri

“Ajo që shohim në Shqipëri është më shumë pasqyrim i një klime tejet të polarizuar politike mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste që ekziston prej dy dekadash, që vazhdon të shpërthejë, vazhdon të përdoret nga cilado forcë që është në opozitë gjatë dekadës së fundit”, thotë zoti Bieber.

“Sfida është se nëse zhvillohen zgjedhje që partia kryesore opozitare i bojkoton, atëherë rezultati i zgjedhjeve nuk është legjitim edhe nëse procesi është i lirë dhe i drejtë, pa partinë kryesore të opozitës, minohet besueshmëria e tyre, gjë që është shkatërruese dhe jo ajo që duhet në rajon sepse një qeveri e qendrueshme, legjitime në Shqipëri mund t’i çojë gjërat përpara. Shqipëria ka shanse të mira për të hedhur hapa të shpejta në procesin e BE-së, por janë këto bllokimet e brendshme që përbëjnë pengesa për vendin”, shtoi ai.

Kriza politike në Kosovë

Përsa i takon Kosovës, zoti Bieber thotë se problemi më i madh në është që opozita nuk po ofron një program dinamik reformash si alternativë por po përdor nacionalizmin.

“Kjo është sfida kryesore, që Vetëvendosja por edhe Ramush Haradinaj kanë përdorur slogane nacionaliste dhe sigurisht kjo është shumë shqetësuese në këtë moment”, tha ai.

Profesori Bieber, që është edhe koordinator i Grupit Këshillues i Politikave për Ballkanin në Evropë thotë se edhe sulmi ndaj Arbana Xharrës, mishëron polarizimin që shihet në Kosovë.

“Një atmosferë e tensionuar që sigurisht nënkupton rreziqe për fushatën elektorale që fushata elektorale do të jetë shumë e polarizuar, përçarëse dhe për fat të keq është e pritshme që në këtë debat të ketë komente dhe debate nacionaliste në një mënyrë konstruktive”, thotë ai.

Shqetësimi për ndërhyrjen e Rusisë

Shqetësimi tjetër është siç thotë Ivana Cvetkovic Bajrovic që vakuumi që ka lënë mungesa e BE-së dhe SHBA ka krijuar hapësirën për ndërhyrjen e Rusisë.

“Unë besoj se ajo që ka bërë dhe po bën Rusia në rajon është diçka që nuk e kemi parë askund tjetër në Evropën Qendrore dhe lindore përveçse në Ukrainë.

Ajo përmend jo vetëm faktin që Rusia ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, por edhe praninë ushtarake dhe të zbulimit dhe ndikimin politik që ushtron ose përpiqet të ushtrojë në gjithë rajonin.

Mesazh i qartë nga Uashingtoni

Duke prekur dhe çështjen e ndryshimeve politike në Shtetet e Bashkuara, analistët thanë se duhet shmangur çdo pasiguri dhe paqartësi nga Uashingtoni, që do të krijonte mundësi që elitat politike në rajon të sfidojnë premisat më parë të padiskutueshme të politikës së jashtme amerikane.

Në këtë drejtim analisti Bieber thotë se duhet t’i jepet fund dyshimeve për ambasadorët amerikanë në rajon, apo pyetjeve se kë përfaqësojnë ata, gjë që sipas tij saboton punën e tyre dhe mesazhin amerikan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG