Lidhje

Familjet e pastrehë të Uashingtonit


Uashingtoni përballet me krizën e familjeve të pastrehë

Qyteti i Uashingtonit, ndeshet me krizën e vazhdueshme të të pastrehëve. Të dhënat më të fundit tregojnë se mbi 1 mijë familje janë pa shtëpi, mes tyre të paktën 1 mijë e 800 fëmijë. Ky numër është rritur me gati 75 për qind që nga fillimi i recesionit në vitin 2008. Qendrat lokale të strehimit u mbushën plot gjatë dimrit, ndërsa mundësia për t’u strehuar në shtëpi me çmime të lira u kufizua së tepërmi, në saje të shkurtimit të fondeve dhe rritjes së kostos së jetesës në qytet. Milena Gjurgjiç, e shërbimit serb të Zërit të Amerikës, kohët e fundit vizitoi një qendër ku strehohen njerëzit pa shtëpi dhe ku banojnë rreth 300 familje.

Markus Scales, prind i vetëm dhe me kufizime fizike, ka një vit që është pa shtëpi. Që nga nëntori, ai dhe vajza a tij 4-vjeçare Sejhaj jetojnë në Qendrën e Strehimit të Uashingtonit.

“Unë duhet ta siguroj vazhdimisht vajzën se gjendja jonë do të përmirësohet dhe se do të jetojmë këtu për pak kohë. Natën, kur vazja qan, më duhet ta qetësoj”. Nganjëherë ajo kërkon të flejë me mua, ka nevojë për kontaktin e babait, nganjëherë jo. Nganjëherë ajo ambjetohet fare mirë.”

Megjithatë, Sajhai shkon çdo ditë në shkollë, ndërsa babai studion për psikologji në një kolegj pranë.

Një kompleksi i vjetër spitalor DC General, shërben si strehë e përkohshme për rreth 286 familje. Gjatë ditës, ndërtesa është e zbrazët - fëmijët janë nëpër shkolla, ose kopështe dhe prindërit dalin në përpjekje për të gjetur punë. Kjo strehë ishte në qendër të vëmendjes së mediave, pas njoftimeve për probleme me ngrohjen dhe infektimin nga insektet.

“Secila nga këto familje do të thotë se streha nuk është ideale, por është më mirë se sa të jetosh në rrugë.”

Amber Harding është juriste në Klinikën e Uashingtonit, e cila i ndihmon të pastrehët të sigurojnë strehim dhe shërbime të tjera. Ajo thotë se në Uashington ka 1 mijë e 200 deri në 3 mijë fëmijë të pastrehë. Shpesh, thotë ajo, këto familje detyrohen të lëvizin nga njeri vend në tjetrin, thuajse çdo ditë, për të gjetur një vend të sigurtë për të jetuar.

“Uashingtoni u siguron strehim familjeve vetëm kur temperatura është nën 0 gradë Celsius. Pra, pak mbi 0 po të jetë, qyteti nuk ka detyrimin ligjor që të sigurojë strehim. Dhe në këto netë, e dimë se shumë nga këto familje e kalojnë natën në stacione autobuzi, apo parqe.”

“Në një dhomë ndoshta sa kjo dhe në të ka 6 shtretër...”

Sharlisse Baltimore ishte me fat që të dilte nga strehimi, ku ajo kishte jetuar me 5 nga 6 fëmijët e saj për 7 muaj. Ajo u përfshi në një program, që i kërkon të paguajë 30 për qind të të ardhurave për qiranë dhe kohët e fundit ajo jeton në shtëpinë e saj.

“U gëzova jashtë mase. Erdhëm ta shohm shtëpinë dhe na dhanë çelësat. Shtëpia i kishte të gjitha. I mora fëmijët nga shkolla dhe ata më thanë “Ku po na çon mami?” Kur shkuam para shtëpisë, më thanë “E kujt është kjo shtëpi?” Dhe unë i thashë “Është e jona”. Hapa derën dhe ata hynë me vrap brenda gjithë gëzim... “

Por të gjesh një shtëpi të përballueshme nga ana financiare është shumë e vështirë.

Disa banorë i thanë anëtarëve të këshillit në një seancë të kohëve të fundit se e vështirë edhe është të gjesh një strehë.

David Berns, drejtor për shërbimet njerëzore, thotë se Kryetari i Bashkisë Vincent Grey ka caktuar miliona dollarë nga buxheti për shërbimet për të pastrehët. Dhe ai thotë se ndihma nga këto fonde po ndjehet.

“Jemi duke e shkurtuar kohën e qëndrimit këtu. Kemi qenë në gjendje ta pakësojmë numrin e sistemimit në strehime krahasuar me vitin e kaluar. Pra, po ndjehet një ndikim pozitiv.”

Përsëri në DC General, Marcaus Scales thotë se familjeve të patsreha duhet po ashtu t’u sigurohet trajnim dhe arsimim, që të jenë në gjendje ta mbajnë strehimin që ato mund të sigurojnë. Ndërkohë, ai nuk e humb shpresën se shumë shpejt do të gjejë një rrugëdalje.

“Kur humbet shpresën, humb gjithshka. Dhe kjo është e vetmja gjë që unë kam tani për tani. Për mua është e rëndësishme, sepse shpresa më motivon të ngrihem çdo ditë dhe të përpiqem me gjithshka të dal nga kjo gjendje”.

XS
SM
MD
LG