Në 4 qarqet veriore të Shqipërisë, në atë të Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Lezhës, procesi i votimit ka nisur normalisht, që në orën 7 të mëngjesit, me përjashtim të disa qendrave të votimit, të ngritura në zonat e thella malore të Shkodrës, ku procesi filloi me vonesë. Në të 4 qarqet kanë të drejtë vote rreth 650 mijë votues. Vetëm në Qarkun e Shkodrës, ku përfshihen 5 bashki, në listat e votimit gjenden emrat e rreth 272 mijë personave me të drejtë vote. Në këtë qark, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, votuan 112 mijë votues.
Procesi i votimit po ndiqet nga një numër vëzhguesish të forcave politike të cilat, deri në orët e pasdites, nuk kishin paraqitur ndonjë pretendim për parregullsi. Ndërkohë, përfaqësues të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve numër 2 në Shkodër bënë të ditur se, në disa prej qendrave të votimit, të ngritura në zonat e thella malore të Dukagjinit, nuk kanë funksionuar disa prej aparaturave që shërbejnë për identifikimin elektronik të votuesve dhe se, për këtë arsye, procesi i votimit ka vijuar me identifikimin manual. Edhe në disa qendra votimi në qytetin e Shkodrës janë shfaqur probleme me aparaturat e identifikimit elektronik të votuesve, ndërsa një numër votuesish patën vështirësi për gjetjen e qendrave të tyre të votimit. Në qendrën e votimit numër 299 në qytetin e Shkodrës, komisionerët konstatuan fotografimin e votës nga një votues 32 vjeçar, gjë që çoi në arrestimin e tij nga policia.
Procesi i sotëm i votimit në Shkodër u ndoq nga afër edhe nga amabasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, e cila monitoroi ecurinë e procesit të votimit në qendrën e votimit, të ngritur në mjediset e shkollës “28 Nëntori”. Ambasadorja Kim u shpreh se pati mundësinë të shikonte demokracinë në veprim në Shqipëri. Ajo vlerësoi sistemin e ri të kontrollit të kartave biometrike të votuesve.
“Sikurse e kam thënë, SHBA nuk mbështesin një parti politike apo një kandidat të caktuar politik, po ne mbështesim të drejtën e shqiptarëve për të votuar. Dhe vertetë shpresojmë që çdo qytetar shqiptar do të ketë mundësinë të shkojë të votojë, i lirë për të votuar dhe, gjithashtu, larg çdo lloj ndërhyrjeje. Kjo është dita juaj”, tha ajo.
Pas Shkodrës, amabasadorja amerikane Yuri Kim vazhdoi procesin e monitorimit të zgjedhjeve edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë.
Votimet e sotme në Veri të Shqipërisë u paraprinë nga disa incidente gjatë fushatës elektorale, siç ishte ai i Pukës, ku policia ndaloi dy persona me dyshimin për blerje të votës, incidentin me kandidatin Xhelal Mziu në Dibër, i proceduar nga policia për veprën penale “thirrje për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, si dhe incidentin e një nate më parë po në Dibër, ku një grup personash bllokuan një makinë me pretendimin se kishte materiale që mund të ndikonin në procesin zgjedhor, gjë që nuk u vërtetua nga kontrolli i policisë.
Në 4 qarqet veriore pritet të zgjidhen 26 deputetë të ardhshëm të Parlamentit të Shqipërisë, nga 140 që ka ky parlament. Në zgjedhjet parlamentare të katër viteve më parë, në qarqet veriore të Shqipërisë, Partia Demokratike fitoi 12 mandate, ndërsa Partia Socialiste 10 mandate. Gjithashtu, LSI morri tre mandate, ndërsa Partia Social Demokrate dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet morën nga një mandat deputeti.
Facebook Forum