Të paktën 15 pjesëtarë të lëvizjes Vetëvendosje janë shoqëruar në polici pas një aksioni gjatë të cilit veprimtarët e kësaj lëvizjeje shpuan gomat e dhjetëra makinave të qeverisë së Kosovës.
Veprimi i sotëm është një nga veprimtaritë e kësaj lëvizjeje në kundërshtim të marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që u nënshkrua më 25 gusht në bisedimet me Serbinë.
Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.
Partitë opozitare në Kosovë thonë se asociacioni i komunave çon në ndarjen e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje tha sot se me shpimin e gomave dëshiron të defunksionalizojë lëvizjen e makinave të të qeverisë e cila po jetëson asociacionin me gjithë dëmet e rreziqet e saj për shtetin e Kosovës.
Marrëveshjet ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit më Bashkimin Evropian, nënshkrimi i së cilës pritet muajt në vazhdim.