Lidhje

Zgjidhet kryetari i veriut të Mitrovicës


Kandidati i Nismës Qytetare Serbe, Goran Rakiç, ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarin e veriut të Mitrovicës.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veriun e Mitrovicës, tregojnë se kandidati i Nismës Qytetare Serbe, Goran Rakiç, është zgjedhur kryetar i kësaj komune.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ai ka fituar 52.6 për qind të votave, ndërsa i dyti radhitet kandidati i Nismës Qytetare SDP Oliver Ivanoviç me 27.7 për qind të votave.

Zoti Ivanoviç, votoi nga paraburgimi ku nën dyshimet për përfshirje në krime lufte dhe krime të pasluftës në Kosovë. Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, edhe në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas, ishte kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës.

Kandidatët e partive politike shqiptare, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Musa Miftari, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë fituar 11 për qind, përkatësisht 8.7 për qind të votave.

Rreth 20 për qind e mbi 28 mijë votuesve të regjistruar kanë marrë pjesë në zgjedhjet e së dielës që ishin të katërtat me radhë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.

Zgjedhjet u përsëriten, meqë kryetari i zgjedhur në votimet e dhjetorit të vitit që lamë pas, Kërstimir Pantiç, dështoi në fillim të janarit të japë betimin duke kundërshtuar që, siç tha, t’u nënshtrohet ligjeve të Kosovës.

Zgjedhjet e së dielës kaluan pa incidente dhe me pak parregullsi të regjistruara nga vëzhguesit vendas, të cilët thanë se ka pasur raste të votimeve familjare por edhe telashe me listat zgjedhore.

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që ka lehtësuar zgjedhjet, u shpreh i kënaqur me ecurinë e tyre.

Përfshirja në zgjedhje e komunave veriore që janë skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës, u bë e mundur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur ne prill të vitit të kaluar.

Beogradi mbështeti Nismën Qytetare serbe, kandidatët e së cilës kanë fituar në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Pas, zbatimit të rezultateve të këtyre zgjedhjeve pritet krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të gëzojë një shkallë të gjerë të autonomisë në disa fusha. Krijimi i tij është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Kjo marrëveshje i mundësoi Kosovës që të fillojë negociatat për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian në tetor të vitit që lamë pas, ndërsa Serbisë i mundësoi fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG