Lidhje

Venezuelianët votojnë në zgjedhjet presidenciale


Venezuelianët po votojnë sot në zgjedhjet, të cilat analistët presin të jenë më të vështirat për presidentin e majtë Hugo Chavez në rreth 14 vjetët e tij në pushtet. Para zgjedhjeve, anketat tregonin se zoti Chavez në disa raste kryesonte, por në disa herë ishte në rezultat të ngushtë me rivalin e tij Henrique Capriles.

Ndërsa mbështetja e zotit Chavez mbetet e fuqishme në radhët e të varfërve, zoti Capriles ka elektrizuar opozitën. Juristi 40-vjeçar ka zhvilluar një fushatë derë më derë në mbarë vendin, duke kritikuar presidentin për mungesat e energjisë elektrike, të ushqimeve dhe ritmin e lartë të vrasjeve.

Po ashtu një çështje e përmendur vazhdimisht gjatë fushatës, ka qenë gjendja shëndetësore e presidentit Chavez. Ai thotë se e ka marrë veten plotësisht nga kanceri me të cilin ai u diagnostikua vitin e kaluar. Por lloji i kancerit që ka prekur Hugo Chavezin nuk u bë i njohur asnjëherë. Në se ai fiton një mandat të katërt 57-vjeçari Chavez mund ta drejtojë vendin edhe për 4 vjet të tjerë, që do të shënonte 20 vjetorin e tij si president i Venezuelës.

Hugo Chavez është një kritik i hapur i Shteteve të Bashkuara dhe ai mbështet qeveritë anti-amerikane në mbarë botën, duke shpenzuar miliarda dollarë nga paratë e shitjes së naftës venezueliane. Në se zgjedhjet i fiton zoti Capriles, pritet një ndryshim në politikën e jashtme venezueliane dhe një liberalizim i kontrollit të shtetit ndaj ekonomisë.
XS
SM
MD
LG