Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” tha se distancohet dhe dënon përdorimin nga qeveria e Shqipërisë të simbolikave që dëmtojnë të ardhmen evropiane të vendit.
Në deklaratën e saj, Vatra i referohej ngritjes në Tiranë të një memoriali për viktimat e grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në korrik 2016.
“Për publikun mbeten të pasqaruara arsyet e një veprimi të tillë dhe mungesa e llogaridhënies dhe transparencës në këtë rast tregon se praktikat, që ndiqen dhe realizohen në institucionet shtetërore i nënshtrohen dëshirave dhe interesave të drejtuesve të tyre, jashtë standardeve demokratike,” thotë deklarata e “Vatrës.”
Federata Panshqiptare e Amerikës thotë se ka shprehur tek institucionet amerikane, shqetësimin e thellë për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. “Por, ngjarja e fundit, - thuhet në deklaratë, - përcjell mesazhe të dëmshme në kuadër të një optike më të gjerë të partneritetit strategjik.”
Vatra i bën thirrje Kryeministrit Edi Rama “të nisë fuqizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara” dhe të heqë dorë nga çdo simbolikë që dëmton objektivat perëndimore të Shqipërisë.
Facebook Forum