Në orët e paditës është varrosur një pjesëtar i policisë së Kosovës i cili ndërroi jetë mbrëmë në Prishtinë, nga pasojat e plagëve të marra në një sulm të armatosur kundër policisë në veriun e Kosovës.
Enver Zymberi, nga fshati Dubovc i komunës së Vushtrrisë, një vendbanim në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, ishte qëlluar me armë zjarri në afërsi të Zubin Potokut, një komunë me shumicë serbe, gjatë operacionit për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori vendim që polici i ndjerë të dekorohet me Urdhrin “Hero i Kosovës”, me motivacion “trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, ka ngushëlluar familjen e policit të ndjerë, duke theksuar se “sakrifica e Enverit në mbrojtje të kufijve të atdheut, të shtetit të Kosovës, do të mbetet përherë në kujtesën dhe zemrën e qytetarëve të Kosovës”.
Ngushëllime kanë shprehur edhe udhëheqës të institucioneve e partive politike, ndërsa ministri për Evropën në Qeverinë e Britanisë, David Lidington, ka shprehur keqardhjen për zhvillimet në veri. Keqardhjen e ka shprehur edhe misioni i OSBE-së.
Qeveria ka vendosur të mbështesë financiarisht familjen e policit të vrarë, ndërsa policia tha se është duke zhvilluar hetime të ngjeshura për të ndriçuar këtë ngjarje dhe për të vënë autorët para drejtësisë.
Në hetime është përfshirë edhe EULEX-i, zyrtarët e të cilit thanë se krahas vrasjes së oficerit të policisë, po hetojnë edhe një vrasje në tentativë dhe një shpërthim që la të plagosur një pjesëtar tjetër të policisë.