Gjigandi farmaceutik amerikan Johnson & Johnson thotë se testimi tek njerëzit i vaksinës së tij eksperimentale për koronavirusin do të fillojë para shtatorit dhe se vaksina mund të jetë gati për përdorim nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Kompania thotë se për krijimin dhe testimin e vaksinës ka angazhuar bashkë me Departamentin e Shëndetësisë, më shumë se 1 miliard dollarë. Sipas kompanisë, nëse provat tek njerëzit dalin me sukses, ajo mund të prodhojë më shumë se 1 miliard doza.
Johnson & Johnson parashikon që sasitë e para të vaksinës të përdoren për rastet më të rënda. Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Alex Gorsky tha për rrjetin NBC se deri tani shenjat tregojnë se vaksina eksperimentale do të jetë e efektshme. Ai tha se kompania planifikon të rrisë prodhimin e vaksinës në javët e ardhshme, me qëllim që të ketë gati disa qindra milion doza deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe një miliard doza deri në fund të vitit 2021.
Facebook Forum