Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u shpreh të enjten kundër sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj udhëheqësit të serbëve të Bosnjës Milorad Dodik.
Në një konferencë me gazetarë ai tha se është “shumë i shqetësuar me sanksionet kundër Milorad Dodikut dhe disa të tjerëve në Republikën Serbe. Jam i shqetësuar për mënyrën e paraqitjes së sanksioneve por edhe për shpjegimet që janë përdorur për to”, tha ai, duke nënvizuar se sanksionet nuk janë zgjidhje.
“Nuk ka asnjë dyshim se Republika e Serbisë nuk do të pajtohet me asnjë pikë të vetme, dhe nuk do t'i zbatojë sanksionet kundër pjesëtarëve të popullit të saj dhe përfaqësuesve të popullit të saj në Bosnje e Hercegovinë dhe Republikën Serbe”, tha presidenti serb.
Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione të reja ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik, me motivacionin “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënime të vazhdueshme ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore” të Bosnje e Hercegovinës.
Ende e përndjekur nga ndarjet etnike, Bosnja është në mes të krizës më të thellë politike që nga fundi i luftës së viteve të 90-ta, ndërsa Milorad Dodiku kërkon tërheqjen e Republikës Serbe nga forcat e armatosura, gjyqësori dhe sistemi tatimor i Bosnjës.
Departamenti amerikan i Thesarit e përcaktoi edhe një entitet të lidhur me të, televizionin “Alternativna" me seli në Banja Lukë".
Presidenti i Serbisë tha se “do të shtrojmë shumë pyetje për administratën amerikane lidhur me disa media të tjera dhe lidhjet me krimin dhe korrupsionin, të cilave duket e pamundur t'u japim një përgjigje të duhur, por këtë do ta lëmë për kohën menjëherë pas Krishtlindjeve (ortodokse)”. Megjithatë, ai theksoi se Serbia duhet të ruajë marrëdhënie “të denja" me Shtetet e Bashkuara.
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik tha të mërkurën se nuk merzitet për sanksionet amerikane, ndërsa nënvizoi se ato “do t’i afrojmë më shumë serbët me Rusinë dhe Kinën”.
Pas luftës së viteve të 90-ta që la pas vetes 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar kundër shpërbërjes së institucioneve shtetërore të Bosnjës, por ndërsa Washingtoni vendosi sanksionet, BE-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të ndaluar Milorad Dodikun.
Po të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit u ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari dhe një ish-zyrtari të Bosnje Hercegovinës, duke përmendur si motivacion “përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Departamenti i Shtetit shpalli përcaktimin publik për korrupsion të ish-presidentit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje-Hercegovinës Milan Tegeltija dhe Kryetarin e Lëvizjes për Veprim Demokratik dhe Përfaqësuesin e Asamblesë Parlamentare Mirsad Kukiç.