Parlamenti i Kosovës debatoi të premten projekt ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, por seanca u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar, derisa u vendos që të vazhdohet të enjten.
Përfaqësues nga Partia Demokratike e Kosovës, nismëtare e këtij projekt ligji, thanë se ai është shumë i rëndësishëm për të vlerësuar të kaluarën.
“Ky projektligj është proceduar në 2018, por për shkak të zgjedhjeve dhe pandemisë ka mbetur. Të gjithë vlerësuam, pa dallime partiake, që ky ligj është i nevojshëm. Jemi të vetëdijshëm që nuk është ligji më i mirë, por qëllimi është më i mirë dhe është mbrojtja e vlerave të UÇK-së”, tha Gazmend Bytyqi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Por deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kërkoi ndryshimin apo riformulimin e disa neneve meqë sipas saj të njejtat lënë hapësirë për keqinterpretim.
“I marrim me shumë shqetësim, kujdes dhe përkushtim deklaratat e përfaqësuesve të BE-së dhe të ambasadorit amerikan, i cili ndër të tjera thotë ‘ligji e kriminalizon lirinë e shprehjes dhe frikëson qytetarët’. Prandaj ne si grup parlamentar angazhohemi për riformulimin e disa prej neneve dhe trajtimin e tyre me shumë kujdes, sepse mbi të gjitha për neve prioritet mbetet ruajtja e demokracisë dhe lirisë së shprehjes”, tha ajo.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është në përputhje me zotimin për liritë themelore që janë në thelb të Kushtetutës së Kosovës dhe miratimi i tij në formën e tashme, do të dobësonte demokracinë e vendit.
Ambasadori Kosnett i bëri këto komente në një shkrim autorial para debatit në parlamentin e Kosovës.
Megjithatë projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së kësaj organizate, tha zoti Kosnett, në formën siç është dëmton lirinë e shprehjes në Kosovë.
“Nëse kritika ndaj klasave të caktuara të njerëzve, organizatave dhe interpretimeve të historisë bëhet vepër penale, siç propozohet me ligj, atëherë kjo do të prodhonte efekt rrëqethës mbi lirinë e shprehjes. Do të frikësonte qytetarët – të çfarëdo etnie – që duan të ofrojnë pikëpamje apo interpretime përtej të zakonshmes, do të shkaktonte hije frike dhe pasigurie për fjalimet politike dhe do të çelte derën për ngritje tekanjoze ose selektive të akuzave”, shkroi ai.
Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nismë e Partisë Demokratike parasheh përcaktimin e detyrimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji konsiderohet lufta e armatosur e popullit të Kosovës e udhëhequr nga UÇK-ja, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike, shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.
Ambasadori Kosnett tha se Kosova ka ligje kundër shpifjeve dhe fyerjeve, të cilat sipas tij duhet të aplikohen “nëse njerëzit bëjnë pohime të rrejshme, të vërtetueshme, kundër veteranëve të UÇK-së”.
Në vend të kësaj zoti Kosnett tha se Kosova më shumë ka nevojë për legjislacion që do të ofronte mundësi të duhura arsimore, të punësimit dhe kujdesit shëndetësor për ata që janë përpjekur dhe kanë vuajtur gjatë luftës – duke përfshirë, ndër të tjera, edhe veteranët e UÇK-së.
Po ashtu ai hodhi idenë e ndërtimit të një muzeu për luftën e Kosovës drejt pavarësisë si formë për t’i nderuar përpjekjet e UCK-së. “Një muze i tillë në Kosovë do të mund të kontribuonte jo vetëm në edukim, por edhe për t’ju ndihmuar qytetarëve që të pranojnë dhe ta kuptojnë më mirë atë, që pa dyshim, është histori e vështirë dhe e dhimbshme”, shkroi zoti Kosnett.
Edhe ambasada e Zvicrës në Kosovë përmes një njoftimi në rrjetet sociale theksoi se “pa përjashtuar të drejtën për të treguar respekt ndaj UÇK-së dhe anëtarëve të saj, Zvicra është e brengosur që Ligji i propozuar mund të minojë lirinë e shprehjes që është një e drejtë themelore e njeriut. Ligji i propozuar mund të frikësojë disa qytetarë të Kosovës dhe të pengojë proceset e tjera që kanë për qëllim trajtimin e së kaluarës”. Zvicra u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të gjejnë mënyra tjera për të dëshmuar respektin ndaj UÇK-së.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se e pajtohet me vlerësimin e ambasadorin amerikan Philip Kosnett, i cili edhe disa ditë më parë në rrjete sociale shprehu shqetësimin e tij lidhur me këtë projektligj.
"Rrallë herë në një shoqëri demokratike është ide e mirë të përpiqeni të ngufatni diskutimet duke i kufizuar ato përmes ligjit penal”, shkroi ai.
Më herët gjatë ditës zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u është bashkuar reagimeve diplomatike. Përmes një postimi në rrjetet sociale kjo zyrë tha se projekt ligji si i tillë ngrit shqetësime serioze mbi lirinë e njerëzve për të shprehur mendimin e tyre.
“U bëjmë thirrje deputetëve të Kosovës të rikonsiderojnë dispozitat ligjore meqë nëse projektligji aprovohet në formën siç është do të minojë përpjekjet vendore e ndërkombëtare për të forcuar edhe më shumë respektimin e të drejtave themelore në Kosovë”, thuhet në reagim.
Sipas projektligjit "Çdo zyrtar publik dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t'i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe çdo rrethanë brenda dhe jashtë vendit. Me rastin e ndaljes dhe arrestimit të veteranit të UÇK-së, sipas fletë-arresteve ndërkombëtare të lëshuar nga Serbia, me motive politike, Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme për mbrojtjen e veteranit".
Nëse projektligji miratohet në parlamentin e Kosovës, zbatimi i tij do të kushtonte rreth 2 milionë e 250 mijë euro.
Facebook Forum