Ambasada amerikane në Prishtinë, tha të premten se politikat e Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të përkrahin praninë e trupave të saj në Kosovë. Këto komente që u bënë nëpërmjet një komunikate për opinion, pasuan shqetësimet e ngritura nga mundësia e largimit të trupave amerikane si ndëshkim për mos heqjen e tarifave ndaj Serbisë.
Në komunikatë thuhet se “politika e Shteteve të Bashkuara ende është që të përkrahë KFOR-in dhe praninë e trupave të SHBA-ve në kampin Bondsteel, që ruan një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Sikurse edhe gjetiu nëpër botë kjo dhe vendosjet tjera të trupave amerikane u nënshtrohen shqyrtimit të rregullt”, thuhet në komunikatën e ambasadës.
Kosova po përballet me pikën më të ulët të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të refuzimit të qeverisë për të pezulluar tarifat ndaj mallrave serbe në mënyrë që t’i hapet rrugë bisedimeve me Serbinë.
Shqetësimet për këtë gjendje u shtuan pas vizitës së zyrtarëve të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Erath dhe Brad Berkley, të cilët për dy ditë me radhë takuan udhëheqësit e Kosovës dhe paralajmëruan masa të reja nëse nuk pezullohen tarifat.
Pjesëmarrësit në takime me zyrtarët amerikanë thanë se në kuadër të masave të mundshme ata kanë përmendur madje edhe mundësinë e largimit të rreth 650 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe prania e tyre shihet si thelbësore për sigurinë e Kosovës.
Po ashtu zyrtarët amerikanë kanë theksuar se nuk ka ndonjë dokument të shkruar të ndonjë marrëveshjeje e cila duhet të hartohet nga palët dhe duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.
Porositë e zyrtarëve amerikanë kanë nxitur debat të ashpër në Kosovë në mes të atyre që janë kundër pezullimit të tarifave pa një garanci për njohje të pavarësisë nga Serbia dhe atyre që kërkojnë të dëgjohen këshillat amerikane.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot në Tirana, ku po merr pjesë në Samitin e Diasporës shqiptare, se nuk do të lejoj prishjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
“E theksoj edhe njëherë se nuk do të lejojmë, po ashtu, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, që asnjë broçkull e politikës elektorale ditore të cenoj raportin e posaçëm dhe të përjetshëm me hisedarët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,tha presidenti Thaçi.
Por, kryeministri Ramush Haradinaj tha sot se vrapimi për t’u bërë pro amerikan duke i hequr tarifat ndaj Serbisë nuk e ndihmon vendin ndërsa akuzoi udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike për nxitje të amerikanëve që të shtojnë trysninë ndaj Kosovës.
“Këto janë krejt produkt i Prishtinës, i politikanëve të Prishtinës, përpjekja e tyre për t’iu thënë që të rrisin trysninë se pastaj hiqen tarifat për shkak se kanë hyrë në obligim të keq me (Aleksandër) Vuçiçin dhe po dëshirojnë të na qesin para aktit të kryer. Prishtina, presidenti Thaçi, njerëzit rreth tij, ata të gjithë që kanë heq dorë prej taksës, të gjithë e bëjnë këtë me ide që të zbatohet një projekt që mund të jetë i dëmshëm. Më mirë është tash t’u themi jo të gjithëve, shikoni nëse ne nuk jemi të vendosur për të drejtën tonë, pse kemi krijuar shtet? “, tha ai.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Shtetet e Bashkuara janë partneri më i sigurt i Kosovës.
“Do të qëndrojë baza Bondsteel, por ne duhet të jemi më të mençur për ta mbajtur ketë bazë por edhe të promovojmë këtë prezencë amerikane, me biznese amerikane”, tha zoti Veseli.
Idetë e ndryshme për mënyrën e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë duke përfshirë këtu edhe ndryshimet e kufijve ka çuar në ndarje të thella brenda politikës në Kosovë. Kryeministri Haradinaj thotë se tarifat po parandalojnë një marrëveshje të dëmshme për vendin e që sipas tij është diskutuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili sipas tij e ka çuar vendin në gjendjen e tanishme.
“Presidenti i ka bërë dëme të mëdha vendit lidhur me idetë e tij për dialogun edhe me avancimet për ndarje të Kosovës pra diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot”, tha kryeministri Haradinaj.
“Ndarja e Kosovës, pa shkelur mbi trupin tim, nuk mund të bëhet. Nuk do të mund ta cenoj askush një milimetër të territorit të Republikës së Kosovës. Askush nuk do të mund ta cenoj as Trepçën, as Mitrovicën, as Ujmanin dhe asnjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Lidhja Demokratike e Kosovës akuzoi ndërkaq institucionet e vendit për gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Avdullah Hoti nga kjo parti tha se që nga shpallja e pavarësisë vendi asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të dobët në politikën e brendshme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Sot me këtë lloj politike në fakt është vënë në pikëpyetje përkrahja e partnerit tonë kryesor Shteteve të Bashkuara të Amerikës përballë shtetit të Kosovës. Për herë të parë në 30 vite ndodh që udhëheqësve të Kosovës këtë rast kryeministrit të vendit i mohohet e drejta për të udhëtuar në SHBA, pra i mohohet e drejta e një udhëheqësi të Kosovës të vendit më pro amerikan më pro evropian në botë që të udhëtojë në SHBA”, tha zoti Hoti.
Shtetet e Bashkuara tashmë kanë ndërmarr veprime pas refuzimit të Prishtinës që të pezulloj tarifat. Ata nuk i kanë dhënë vizë udhëtimi fillimisht kryeministrit të Kosovës dhe vizat me pas u janë refuzuar edhe zyrtarëve të tjerë.
Një vizitë e planifikuar e gjeneralit amerikan të Gardës Kombëtare të Ioëas, Timothy Orr në Kosovë me rastin e shënimit të përvjetorit të pavarësisë së saj u anulua për shkak të tarifave, ndërsa javën që lamë pas u anuluan ftesat për 14 pjesëmarrës nga Kosova në disa konferenca që lidhen me sfidat e sigurisë ndërkombëtare e rajonale.
Facebook Forum