Ambasada amerikane në Prishtinë, tha të hënën se trysnia politike mbi sektorin e sigurisë është shkelje skandaloze e vlerave demokratike, duke komentuar gjetjet rreth operacionit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq një vit më parë.
Në një komunikatë të kësaj ambasade, thuhet se “kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij. Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Zbulimit të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”.
Në komunikatë u bëhet thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin, ndërsa u rikujtohet udhëheqësve të Kosovës “që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”.
Në komunikatë thuhet e “nuk kemi të bëjmë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Trysnia politike në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët e Kosovës në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Më 29 mars të vitit 2018, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë shtetas turq, punonjës të Institucioneve në pronësi të klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë.
Të gjashtët ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi, shumë kritika ndaj institucioneve dhe nxiti një përplasje deklaratash ndërmjet presidentit turk Recep Tayipp Erdogan dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi, pas arrestimeve, që ishin rrjedhojë e trysnisë nga Ankaraja.
Në korrik të vitit të kaluar u themelua një komision parlamentar për hetimin e operacionit i cili gjeti 31 shkelje ligjore gjatë operacionit. Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të komisionit, janë bërë Agjencia e Zbulimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit 2016.
Kleriku Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.
Vëzhguesit thonë se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor ka shtrirje në mjedisit posaçërisht të banuara me myslimanë, siç janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.
Facebook Forum