Lidhje

SHBA nënshkroi letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë për autostradën që lidhë të dyja vendet


Shefi Ekzekutiv Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar (DFC), Adam Boehler dhe shefja e Bankës për Eksport-Import, (EXIM) Kimberly Reed, nënshkruan të martën letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, për të ndihmuar financimin e Autostradës së Paqes, ndërmjet të dyja vendeve.

Projekti synon të lidhë Prishtinën dhe Nishin, në qytet në jug të Serbisë dhe sic thuhet në një njoftim “ishte prej kohësh një pjesë thelbësore e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Nënshkrimi i letrave pasoi dakordimin e të dyja palëve më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

“Autostrada e Paqes do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal duke lidhur Nishin me Prishtinën. Ajo do të shërbejë gjithashtu si një simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re, transformuese midis këtyre vendeve fqinje", tha zoti Boehler.

DFC-ja tha ai, në partneritet me EXIM-in, “është e angazhuar për çuarjen përpara të këtij procesi paqësor duke investuar në projekte që krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të qëndrueshme ekonomike për të dy vendet", citohet të ketë thënë ai.

"Autostrada e Paqes është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës dhe unë përgëzoj punën e presidentit Donald Trump dhe gjithë administratës mbi këtë marrëveshje historike", tha shefja e EXIM-it Kimberly A. Reed.

Delegacionet e këtyre dy institucioneve pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin më vonë gjatë këtij muaji, për të çuar përpara punën për Autostradën e Paqes dhe projekte tjera.

DFC-ja paralajmëron hapjen e zyrës së parë në rajon duke vendosur një prani të përhershme në Beograd që “do të lehtësojë zbatimin e projekteve me përparësi si Autostrada e Paqes, që do të mbështesin hapjen e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik në rajon”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e cilësoi lajm të mirë këtë njoftim përmes të cilit shkroi ai, do të zbatohet marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

Mes çështjeve të shtruara në dakordimin e arritur në Shtëpinë e Bardhë, thuhet se palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt të këtij viti. Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për hekurudhën Beograd-Prishtinë të nënshkruar po atë ditë.

Më tej theksohet se palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në Adriatik.

Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare amerikane për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të jetësuar: Autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdarë, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme etj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG