Udhëheqës të Kosovës dhe Shqipërisë reaguan pas njoftimit se presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, dolën të prekur nga koronavirusi.
Lajmi zuri vendin qendror në mediet e të dyja vendeve që radhiten ndër aleatët kryesor të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i pikëlluar me lajmin se presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, dolën pozitiv në testin për COVID-19. Duke shprehur dëshirën për shërim të shpejtë në emër të popullit të Kosovës, ai shkroi se "kam besim që presidenti dhe Zonja e Parë do ta tejkalojnë këtë sfidë dhe do të shërohen shpejt".
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, shkroi se "lutjet tona janë më presidentin Donald Trump dhe Zonjën e Parë, duke ju dëshiruar shërim të shpejtë".
Në Tiranë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë konferencës së përjavshme me gazetarë, u dëshiroi "shërim të shpejtë presidentit Trump dhe Zonjës së Parë", pak pas njoftimit së të dy dolën pozitiv.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, shkroi se "mendimet dhe lutjet tona shkojnë për një shërim të shpejtë për Zonjën e Parë Melania Trump dhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump".
Të premten presidenti Trump njoftoi se ai dhe Zonja e Parë dolën pozitiv në testin për COVID-19 dhe se do të fillojnë karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë.
Njoftimi nxiti reagime gjithandej botës.
Facebook Forum