Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, njoftoi të mërkurën për një sulm me raketa mbi një bazë ushtarake irakiane në të cilën janë të vendosura trupat e koalicionit.
Zëdhënësi Wayne Marotto, tha se 10 raketa u hodhën mbi bazën ajrore Al Asad.
Nuk pati njoftime të menjëhershme për dëme në njerëz.
Sulmi ndodhi dy javë pasi që raketat goditën një bazë në Irakun verior, duke vrarë një kontraktues civil dhe duke plagosur një pjesëtar të forcave amerikane.
Sulmi i 16 shkurtit bëri që Shtetet e Bashkuara të kryenin sulme ajrore kundër një objektivi në Siri, që Pentagoni tha se ishte përdorur nga milici të shumta të mbështetura nga Irani.
Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar grupe të tilla për sulmet me raketa kundër pozicioneve amerikane në Irak përgjatë viteve të fundit dhe zyrtarët thanë se goditjet ajrore kishin për qëllim parandalimin e sulmeve të tilla në të ardhmen.
Irani qëlloi bazën Al Asad vitin e kaluar në një sulm hakmarrës për vrasjen nga Shtetet e Bashkuara të komandantit të lartë Iranian, Qassem Soleimani.
Facebook Forum