Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.
Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel, tha se kjo çështje ishte e rëndësishme për të, duke pasur parasysh lidhjet me komunitetin shqiptar dhe se ai e njeh personalisht familjen e vëllezërve Bytyçi. Zoti Engel tha se ai e di që autoritetet serbe e dinë se kush janë personat përgjegjës.
"Nëse Serbia do që të bashkohet me perëndimin, ajo duhet të përballet me të shkuarën dhe pranojë përgjegjësinë", tha ai.
Ligjvënësi nga Nju Jorku, Lee Zeldin tha se kjo çështje është ngritur vazhdimisht me autoritetet serbe.
"Dua t'i them Serbisë se ky është një mësim i rëndësishëm, se pas 20 vjetësh ne (Shtetet e Bashkuara) nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të vihet në vend".
Menjëherë pas miratimit, reagoi vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, Ilir Bytyçi, duke shprehur vlerësimin e familjes së tij për rezolutën:
"Shpresojmë që i Dërguari i Posaçëm, Matt Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm Rich Grenell t'i dëgjojnë këto zëra dhe ta bëjnë përparësi çështjen e vëllezërve Bytyçi dhe drejtësinë për krimet e luftës në punën e tyre. Sot Kongresi tregoi se viktimat nuk mund të injorohen".
Rezoluta ishte miratuar në korrik të këtij viti nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve, vetëm pak ditë pas përvjetorit të vrasjes së vëllezërve Bytyçi. Ajo ishte hartuar nga ligjvënësit Eliot Engel dhe Lee Zeldin.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.
Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Trupat tyre u gjetën në në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.
Në Rezolutën e miratuar të martën thuhet se “Shtetet e Bashkuara duhet t’u kushtojnë vëmendje përpjekjeve të qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet mesa tjerash në dokument.
Rezoluta u referohet fakteve rreth vrasjes bashkë me përfshirjen e zëvendës ministrit të brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavleviçit. Ajo përfshinë edhe premtimet e papërmbushura të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për ndriçimin e vrasjeve.
Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.
Facebook Forum