Lidhje

Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Kubë


Shtetet e Bashkuara dhe Kuba i dhanë fund më shumë se pesë dekadave të armiqësisë dhe mosbesimit duke rivendosur marrëdhëniet diplomatike mes tyre. Të dyja vendet të hënën hapën ambasadat e tyre, edhe pse ceremonia zyrtare për hapjen e ambasadës amerikane në Havanë do të mbahet muajin e ardhshëm. Në ambasadën kubane, ata që ishin dje të pranishëm kishin pikëpamje të ndryshme në lidhje me rivendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Me thirrje të ndryshme në sfond, diplomatë, dashamirës dhe demonstrues u bënë dëshmitarë të ngritjes së flamurit kuban jashtë ambasadës.

Disa e quajtën atë një moment historik nga i cili do të përfitojnë të dyja vendet.

"Përfitimi më i madh nga kjo është një mjedis më i gjerë ndërkulturor ku njerëzit nga të dyja vendet shumë shpejt do të jenë të lirët të udhëtojnë", thotë Fred Mills i Komitetit të Solidaritetit me Amerikën Latine dhe Karaibet.

Disa njerëz e vlerësojnë procesin e normalizimit, por e kritikojnë qeverinë e Raul Kastros.

"Ne meritojmë lirinë e organizimit, tubimit paqësor. Ne meritojmë lirinë për të protestuar në mënyrë paqësore. Meritojmë lirinë e investimeve", thotë Orlando Luis Pardo nga Havana.

"Disa pjesëmarrës që kritikuan normalizimin thanë se administrata e Presidentit Obama veproi tepër herët".

"Presidenti i ka bërë shumë lëshime qeverisë kubane ndërkohë që ajo ende nuk ka ndaluar rrahjen e grave paqësore që shkojnë në kishë".

Po dje, kryediplomati amerikan John Kerry, priti në Departamentin e Shtetit ministrin e jashtëm kuban Bruno Rodriguez, vizita e parë e këtij lloji në më shumë se 50 vjet. Ministri kuban bëri këto komente pas takimit:

"Unë e theksova se heqja e plotë e bllokadës, kthimi i territorit të pushtuar të Guantanamos, respektimi i plotë i sovranitetit të Kubës dhe kompensimi i popullit tonë për dëmet njerëzore dhe ekonomike janë shumë të rëndësishme".

Sekretari Kerry tha se procesi i plotë i normalizimi do të jetë i gjatë dhe kompleks.

"Jemi të sigurtë se gjatë rrugëtimit tonë ne do të hasim në pengesa dhe madje edhe momente frustrimi. Durimi do të jetë i nevojshëm. Por kjo është pikërisht arsyeja për të filluar tani këtë udhëtim".

Në Ambasadën amerikane në Havanë nuk pati ceremoni të ngritjes së flamurit. Kjo do të bëhet gjatë vizitës së Sekretari Kerry në Kubë në muajin gusht.

Ndërkaq, në Departamentin e Shtetit, flamuri kuban është vendosur tani në mesin e flamujve të vendeve të tjera.

XS
SM
MD
LG