Organizata e UNESCO-s po ndërmerr hapa për të gjetur mënyra se si të ndalohet tregtia e paligjshme e antikave. Veprat artistike dhe artifaktet shpesh bëhen objekte kontrabande nga tregtarë të paskrupullt nga vendet e shkatërruara nga lufta.
Disa relike të çmuara të së kaluarës së lashtë të Afganistanit u gjetën dhe u kthyen në prill të këtij viti.
Megjithatë, fati i tyre nuk është aspak e sigurt tani që talebanët kanë shpallur një qeveri të përkohshme me figura nga sundimi i tyre i ashpër i viteve 1990.
Koleksioni i 33 objekteve të kthyera tani, u sekuestrua nga një tregtar arti me qendër në Nju Jork, për të cilin autoritetet thonë se ishte një nga kontrabandistët më të njohur të antikave në botë.
Sipas UNESCO-s, trafikimi i paligjshëm i trashëgimisë kulturore të vendeve të ndryshme është një fatkeqësi fitimprurëse globale.
Profesori arkeolog Peter Stone thotë se trafikimi në shumicën e rasteve është i lidhur me forma të tjera të krimit të organizuar dhe sulmet ndaj kontrabandistëve kanë treguar se sa e ngushtë është kjo marrëdhënie.
"Në njërën anë të dhomës, ka armë të paligjshme, në anën tjetër ka grumbuj parash, në anën tjetër ka drogë, dhe tjetrën, ka antikitete. Është i njëjti problem. Antikitetet dhe prona kulturore në përgjithësi është vetëm një aspekt i veprimtarisë kriminale në shkallë të gjerë", thotë profesori.
UNESCO thotë se gjatë krizës shëndetësore, mbikëqyrja e zvogëluar, e ka bërë më të vështirë trajtimin e këtij problemi.
Muzetë e mbyllura dhe vendet arkeologjike janë plaçkitur në një shkallë të madhe, dhe organizata vëren një rritje të shitjeve edhe pse nuk është përmendur asnjë shifër.
Vitet e konfliktit në Irak dhe Afganistan kanë nxitur tregtinë e paligjshme, duke lejuar militantët të mbledhin armë dhe të pastrojnë para.
Profesori Stone thotë se nuk është e mundur të matet me saktësi vlera monetare e antikave të kontrabanduara:
"Vitet e fundit ka pasur një rritje të grupeve që plaçkitin dhe vjedhin materiale për të financuar aktivitete potencialisht kriminale ose terroriste. Në fakt, askush nuk e di vlerën. Do të duhej që ISIS-i dhe talebanët të mbushin deklaratat tatimore për këtë, gjë që nuk pritet të ndodhë ndonjëherë. Ka vlerësime nga disa miliona në dhjetëra, qindra miliona për koston vjetore të antikave dhe trafikimit të paligjshëm".
Ndërsa Afganistani po izolohet gjithnjë e më shumë nga bashkësia ndërkombëtare shqetësimi po rritet jo vetëm për njerëzit e tij, por edhe trashëgiminë e tij kulturore.
Organizatat si Mburoja Blu dhe UNESCO po përgatiten për një rritje të tregtisë ilegale.
"Shumë prej tyre mund të jenë në rrezik nëse talebanët vazhdojnë me atë që kanë bërë në të kaluarën. Ka materiale në zonat rurale, në vendet arkeologjike dhe në ndërtesa, të cilat, përsëri, mund të jenë në shënjestër të talebanëve ose bashkëpunëtorëve të tyre, sepse sipas e tyre janë kundër interpretimit të tyre të Islamit", thotë profesori Stone.
Kontrabandistët dhe krimi i organizuar janë ndër ata që përfitojnë nga prishja e strukturës shoqërore gjatë luftës dhe trazirave civile.
Me asnjë strukturë qeveritare, njerëzit iu drejtohen mënyrave të tjera për të fituar të ardhura për të mbijetuar.
Tregtia e paligjshme tani është edhe më e vështirë për t'u kontrolluar. Shitjet në internet të përdorura zakonisht kanë zgjeruar tregun.
Stone thotë se ndalimi i kërkesës për këtë treg të zi është çelësi, por kjo varet nga koleksionistët që duhet të kuptojnë çështjet etike pas objekteve dhe të kërkojnë të dinë origjinën e të gjithë artikujve që u ofrohen.
Facebook Forum