Lidhje

UNDP: Tolerimi i korrupsionit në gjykatat shqiptare ka rrënjë të thella


UNDP, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, publikoi sot në Tiranë studimin “Aksesi në drejtësinë shqiptare”, ku mbizotëron mosbesimi dhe korrupsioni.

Studimi zbuloi se tre të katërtat e popullatës besojnë që sistemi shqiptar i drejtësisë nuk i mbron të drejtat e tyre dhe shkaku kryesor është korrupsioni.

Mosbesimin më të madh ndaj sistemit gjyqësor e shprehin masisvisht qytetarët më të moshuar dhe ata me të ardhura të larta, që i ka lidhur së paku një herë puna me drejtësinë në pesë vitet e fundit.

Praninë e korrupsionit në gjykata e pohojnë dhe e tolerojnë afro gjysma e personave me të ardhura të larta, ndërsa të varfërit nuk e tolerojnë, sepse nuk kanë të holla për të dhënë rryshfete.

“Toleranca ndaj korrupsionit është rreth 24.5 për qind dhe ka hedhur rrënjë të thella, sidomos tek të rinjtë, personat me nivel të lartë arsimor, tek shtresat e privilegjuara dhe ata me të ardhura të larta. Po ashtu, një nivel i ngjashëm tolerance ekziston në shoqërinë shqiptare edhe për dhunën në familje” - thekson studimi.

Studimi zbuloi një mori problemesh dhe nevojën e madhe për drejtësi në Shqipëri, që vjen si rrjedhojë e mungesës së ndërgjegjësimit ligjor në shoqëri dhe mungesës së performancës së institucioneve në sektorin e drejtësisë.

Pothuaj gjysma e popullatës së anketuar doli se ka patur probleme ligjore gjatë pesë viteve të fundit dhe pjesa më e madhe ishin ende të pazgjidhura.

Puna e dobët e institucioneve të drejtësisë dhe ndërgjegjësimi i ulët ligjor i shoqërisë shihen si burimi i vështirësive të mëdha që godasin grupet e pafavorizuara si të varfërit, romët pjesëtarët e komunitetit LGBT, personat me nivel të ulët arsimor dhe viktimat e dhunës në familje.

Shumica e mosmarrëveshjeve lidhen me pronat, truallin ose tokën si dhe përfitimet sociale.

Mbi 22 për qind e të anketuarve ishin të mendimit se “i takon bashkëshortit të disiplinojë bashkëshorten e vet.

Diskriminimi i anëtarëve të komunitetit LGBT vlerësohet si i pranueshëm nga një shumicë e madhe njerëzish, madje ata besojnë që pronari mund ta heqë një homoseksual, nëse nuk ndihet rehat me të.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG