Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte e dënuan të mërkurën me dhjetë vjet heqje lirie ultranacionalistin serb Vojislav Sheshel, duke përmbysur një vendim të dy vjetëve më parë që e kishte liruar atë nga akuzat për përndjekje, deportim dhe veprime jonjerëzore.
Meqë ai kishte kaluar afro 12 vjet në burg, dënimi i tij cilësohet i përmbushur.
Ai ishte akuzuar për krime kundër jos erbëve në Kroaci, në rajonin serb të Vojvodinës dhe në Bosnje e Hercegovinë, gjatë luftërave në Ballkan, që çuan në shpërbërjen e ish Jugosllavisë.
Vojislav Sheshel, 63 vjeçar, nuk u paraqit në Hagë për të ndjekur vendimin.
Ai qe dorëzuar në vitin 2003 dhe kishte qëndruar në Hagë deri në vitin 2014, kur qe lejuar të kthehet në Serbi për t’iu nënshtruar kurimit nga kanceri i mëlçisë.
Më 31 mars të vitit 2016 Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, e kishte shpallur të pafajshëm duke e liruar nga të gjitha akuzat.
Procesi gjyqësor kishte rezultuar i vështirë për Gjykatën e Hagës, me vonesa të shumta, ndërkohë që Shesheli përfaqësoi veten para gjykatësve dhe i bëri sfidë institucionit me çdo formë. Vendimi i 31 marsit të vitit 2016 qe përcjellë me zhgënjim nga prokurorët, që apeluan aktgjykimin.
Vojislav Sheshel, ishte aleat i ish presidentit serb Slobodan Millosheviç dhe vazhdon të drejtojë partina Radikale serbe, pjesë e së cilës deri në vitin 2008 ishte edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Sheshel njihet për një numër veprash që ka shkruar, për fjalime të pasionuara, për temperamentin kolerik, për kërcënimet e shfrenuara, kur thoshte se “do u nxjerr sytë armiqve të Serbisë me lugë të ndryshkur”.
Aktualisht është deputet në parlamentin e Serbisë.
Facebook Forum