Lidhje

Pillay, kritika Këshillit të Sigurimit


Komisionerja e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, e cila është duke u larguar nga ky post, e kritikoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mungesë veprimi në rastet e disa prej krizave më të rënda në botë, duke thënë se qindra mijëra jetë njerëzish do të mund të ishin shpëtuar, në se ky organ ndërkombëtar do të ishte treguar më i përgjegjshëm.

Ish-juristja nga Afrika e Jugut Navi Pillay e përfundon në fund të këtij muaji detyrën 6-vjeçare, si zyrtarja më e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut.

E njohur si një zyrtare aktive dhe e zëshme për tema të tilla, si konflikti në Siri e deri tek të drejtat e homoseksualëve, në fjalimin e saj të fundit para largimit nga posti, zonja Pillay foli për krizat në mbarë botën, nga Lindja e Mesme, tek Afrika dhe Ukraina:

"Asnjë prej këtyre krizave nuk shpërtheu pa një paralajmërim. Krizat krijohen për vite me radhë dhe nganjëherë për dekada të tëra, me probleme të të drejtave të njeriut, si: mangësi apo qeverisje dhe institucione juridike të korruptuara; diskriminim, pabarazi në zhvillim; shfrytëzim dhe mohim i të drejtave ekonomike dhe sociale; shtypje e shoqërisë civile dhe e lirive publike."

Ajo tha se mekanizmat e dallimit të shkeljeve që në fazat e hershme kanë bërë vazhdimisht paralajmërime për këto kriza të mundshme:

"Kështu, edhe pse specifikat e secilës prej këtyre krizave jo domosdoshmërisht mund të ishin parashikuar, shumë nga shkeljet e të drejtave të njeriut që ishin në thelbin e tyre ishin të njohura dhe ato mund të ishin trajtuar."

Lidhur me luftën më tepër se 3-vjeçare në Siri, ajo paralajmëroi se konflikti po përhapej jashtë vendit dhe se limiti i kësaj krize nuk mund të parashikohej.

Zonja Pillay tha se kriza të tilla theksojnë koston e plotë të dështimit të komunitetit ndërkombëtar për parandalimin e konfliktit. Ajo tha se është fillimisht detyra e shtetit të mbrojë qytetarët e vet, por kur ai dështon, është Këshilli i i Sigurimit i OKB-së që duhet të veprojë:

"Por kur qeveritë janë të paafta, ose nuk kanë vullnetin të mbrojnë popullin e vet, është përgjegjësia e komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti, e këtij këshilli, që të ndërhyjë dhe të dislokojë mjetet dhe mbështetjen e nevojshme për të shpërndarë konfliktin."

Duke ju referuar mungesës së konsensusit mes anëtarëve të Këshillit për çështje si Siria, ajo tha se shqetësime gjeopolitike afatshkurtër dhe interesa kombëtare të përcaktuara ngushtë, në mënyrë të përsëritur kanë patur përparësi ndaj masave që duheshin marrë për t'i dhënë fund vuajtjeve njerëzore:

"Unë kam bindjen se një përgjeshmëri më e madhe nga ky Këshill, do të kishte shpëtuar qindra mijëra jetë njerëzish."

Gjatë takimit të së enjtes, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon e nderoi për punën e saj Komisioneren Pillay, duke e karakterizuar atë si një "udhëheqëse e shquar e Kombeve të Bashkuara", e cila "ka treguar gjithmonë të vërtetën, pa i shtrembëruar ngjarjet". Ai tha se njerëzit që ndeshen me diskriminim dhe shkelje të të drejtave, e dinë se ajo është mbrojtësja e tyre dhe se ajo do të vazhdojë të jetë një zë i rëndësishëm i të drejtave njerëzore."

XS
SM
MD
LG