Shumica e vendeve anëtare të OKB-së mbështesin heqjen e embargos ekonomike, komerciale dhe financiare ndaj Kubës, të vendosur nga Uashingtoni mbi gjysëm shekulli më parë. Ato thonë se embargoja është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik dhe social të këtij vendi-ishull.
Ministri i jashtëm i Kubës i tha Asamblesë së Përgjithshme se bllokada ka ndikuar edhe tek kubanët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
“Bllokada është një shkelje flagrante, masive dhe sistematike e të drejtave njerëzore të burrave dhe grave kubane. Ka qenë dhe vazhdon të jetë pengesa kryesore ndaj aspiratave për mirëqenie dhe begati të disa brezave. Këto politika kanë një efekt dërrmues edhe për kubanët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Bllokada është gjithashtu e ashpër edhe me nënshtetasit e SHBA-së, të cilëve u kufizohet padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare liria e udhëtimit drejt Kubës, i vetmi vend në planet ku atyre nuk u lejohet të shkojnë”, deklaroi ministri i jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez Parilla.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë dy vendet e vetme që kundërshtojnë heqjen e bllokadës.
“Gabohen ata që mbështesin këtë rezolutë çdo vit. Arsyeja jonë për embargo ka qenë gjithnjë mohimi në Kubë i lirive dhe të drejtave bazë njerëzore të popullit kuban. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me popullin kuban derisa t’i rikthehen liritë dhe të drejtat e tyre”, u shpreh ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.
Votimi është më tepër simbolik, pasi Asambleja e Përgjithshme nuk ka autoritetin të heqë embargon, të cilës mund t’i japë fund vetëm Kongresi amerikan. Sidoqoftë, rezoluta nxjerr në pah izolimin e Uashingtonit për këtë çështje. Ambasadorja Haley tha se Shtetet e Bashkuara nuk shqetësohen nga ky izolim.
Facebook Forum