Lidhje

Ukrainë, opozita kërkon ndryshimin e kushtetutës


Në Ukrainë, udhëheqësit e opozitës - duke përfshirë ish-kampionin e peshave të rënda në boks, Vitali Klitschko, folën sot përpara ligjvënësve në një sesion të posaçëm të parlamentit. Ata kërkojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do të dobësonin fuqitë e presidentit.

Protestat anti-qeveritare kanë përfshirë kryeqytetin e Ukrainës prej më shumë se dy muajsh, ndërkohë që kriza politike ka arritur pikën e bllokimit.

Protestuesit nuk kanë pranuar të heqin kampin e tyre në qendër të kryeqytetit Kiev apo të lirojnë ndërtesat që kanë zënë, por radikalët të cilët u përleshën me policinë muajin e kaluar, po vazhdojnë të respektojnë paqen e brishtë me autoritetet, në një klimë të tensionuar.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Ukrainës që t'i japë fund krizës politike në mënyrë që blloku të mund të shqyrtojë rritjen e ndihmës për ekonominë e varfëruar të vendit.

Opozita është e vendosur të nxisë Parlamentin për shpalljen e një amnistie pa kushte për më shumë se 100 personat e arrestuar në protesta.

Javën e kaluar, Parlamenti ofroi amnisti për një pjesë të të arrestuarve me kusht që protestuesit të largoheshin nga ndërtesat që kanë zaptuar, por opozita nuk e përfilli ofertën, duke thënë se autoritetet në thelb po i përdorin të arrestuarit si pengje.

Oleksandr Yefremov, udhëheqës i Partisë së Rajoneve në Parlament, tha se protestat në rrugë e kanë "ndarë Ukrainën nga parimet kryesore demokratike evropiane" dhe e kanë zhytur në kaos dhe konfrontim.

"Do të doja të shpresoja se sesioni i tanishëm parlamentar do të jetë vendimtar për të mos lejuar realizimin e një skenari katastrofik të provokatorëve," tha zoti Yefremov.

Vitaly Klitschko, kreu i partisë opozitare Udar, tha në Parlament se ata e kishin për detyrë të përmbushnin vullnetin e popullit.

"Ne kemi nevojë të dëgjojmë njerëzit. Një nga mënyrat për të zgjidhur këtë problem është që të ndryshohet ndarja e pushteteve në vend, sepse monopoli i sotëm ka çuar në situatën ku ndodhemi tani," tha zoti Klitschko.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e presidentit Viktor Janukoviç dhe zgjedhje të parakohshme.

Zoti Janukoviç, i cili u kthye në punën dje, pas një pushimi të shkurtër mjekësor, nuk ka treguar asnjë shenjë se mund t'i pranojë kërkesat.

Jashtë parlamentit sot u mblodh një turmë e madhe njerëzish në mbështetje të presidentit, pozita e të cilit është vështirësuar.
XS
SM
MD
LG