Një gjykatë e Ukrainës shtyu sot gjyqin e ish kryeministres së vendit, Julia Timoshenko deri më 21 maj për shkak të gjendjes së saj shëndetsore. Gjykatësi Kostantin Sadovski tha në gjykatën e qytetit e Karkivit se do të ishte e pamundur të zhvilloheshin seancat gjyqësore në mungesë të zonjës Tymoshenko, e cila thotë se vuan nga dhimbje kronike të shpinës.
Bashkimi Evropian e konsideroi burgosjen e ish kryeministres tetorin e kaluar si politikisht të motivuar, madje ka thënë se vendet anëtare nuk do ta ratifikojnë marrëveshjen e asocimit me ish republikën sovjetike, ndërsa zonja Timoshenko mbahet në burg.
Politikanët evropianë u alarmuan nga pohimet e zonjës Timoshenko se ajo ishte rrahur këtë muaj nga rojet e burgut, pohime këto që u mohuan nga autoritetet e burgut, ndërkohë që prokurorët po hetojnë ankesat e saj.
Avokati i ish kryeministres Timoshenkos, Serhi Vlasenko, tha se klientja e tij ka nevojë për më shumë kohë.
“Megjithë faktin se Julia Timoshenko është e pafajshme lidhur me akuzat e ngritura kundër saj, gjendja e saj shëndetsore përbën gjithashtu rrezik për të. Dhe kjo është arsyeja që, nën presionin e fakteve absolute dhe duke pasur parasysh rrahjen e turpshme të zonjës Timoshenko para një jave, gjyqi u shty. Edhe kjo nuk është kohë e mjaftueshme për shërimin e saj, ndërsa mjekët gjermanë kanë thënë disa herë se për shërimin e saj do të duhen disa muaj”.
Gjermania ka ofruar të kurojë në një klinikë të Berlinit zonjën Timoshenko, por familja e saj thotë se ajo nuk do të largohet nga vendi, ndërkohë që nuk është e qartë nëse Kievi do ta lejojë atë.
Përkrahësit e ish kryeministres valvisnin flamurë dhe pankarta në mbështetje të zonjës Timoshenko gjatë një proteste sot në qytetin e Karkivit. Duke hedhur sllogane si 'Liri për Julian' dhe 'Julia, ndalo grevën e urisë', protestuesit, disa prej të cilëve u hodhën në grevë urije në mbështetje të ish kryeministres, dënuan gjyqin kundër saj.
“Fakti që gjykata shtyu gjyqin deri më 21 maj tregon se autoritetet kanë frikë dhe kanë nevojë për pak kohë që të duken si më të arsyeshëm para publikut ukrainas dhe komunitetit ndërkombëtar”, Tetjana Melikova, protestuese që kishte ardhur nga Kievi.
“Ne jemi hedhur në grevë urije për të treguar solidaritet me Julia Timoshenkon. Kërkesat tona nuk mund të përmbushen brënda një dite, por presidenti mund të ndalojë menjëherë torturat ndaj zonjës Timoshenko, por ai nuk do ta bëjë këtë”, tha Oleksandr Bryginets, përkrahës i Timoshenkos.
Zonja Timoshenko ishte një prej udhëheqësve të protestave të Revolucionit Portokalli të vitit 1994. Ajo shërbeu dy mandate si kryeministre, para se të humbiste zgjedhjet presidenciale të 2010-tës përkundrejt zotit Janukoviç.
Pasi humbi postin, ajo dhe aleatët e saj u përballën me akuza për korrupsion, të cilat udhëheqësit perëndimorë I shikojnë si shembuj të një drejtësie të përzgjedhur.