Lidhje

Beteja e informacionit për ngjarjet në Ukrainë


Media e kontrolluar nga Kremlini ka filluar një fushatë informative për të justifikuar marrjen e Krimesë nga Rusia. Por ukranasit tani janë duke u organizuar për t'iu kundërvënë variantit që jep Moska për ngjarjet.

Kur ushtarët rusë morën kontrollin e gadishullit ukrainas të Krimesë javën e kaluar, Moska filloi një fushatë agresive propagandistike për të justifikuar ndërhyrjen e saj. Ajo pretendoi se trupat ishin dërguar për të mbrojtur popullsinë ruse dhe akuzoi forcat neonaziste dhe ekstremiste për rrëzimin nga pushteti të presidentit ukrainas Viktor Yanukovych, përmbysja e të cilin shkaktoi ndërhyrjen ushtarake të Rusisë.

Pas revolucionit që përjetoi Ukraina, qeveria e përkohëshme e Kievit nuk i ka burimet mediatike t'i kundërvihet asaj që ajo e quan një variant të deformuar të ngjarjeve nga Moska; shumica e ministrave të rinj të Ukrainës nuk kanë zyrtarë shtypi. Por ukrainasit e zakonshëm tani po përpiqen t'i kundërvihen variantit të ofruar nga mediat e kontrolluara nga Kremlini.

Pjesë e kësaj rezistence po ndodh në hotelin “Ukraina” të Kievit, ku është ngritur një qendër shtypi për krizën nga një grup ekspertësh të marrëdhënieve me publikun nga sektori privat. Frolova Alina, shefja ekzekutive e agjencisë së marrëdhënieve me publikun shpjegon:

"Kur filloi pushtimi i trupave ruse, ne u shokuam dhe e kuptuam se qeveria jonë ishte mjaft e re. Ajo ndeshet me një numër të madh problemesh dhe nuk ka as kohë t'i kushtojë vëmendje mbrojtes së Ukranës në fushën e informacionit. Ne filluam të telefononim njëri tjetrin, duke thënë se duhet të bëjmë diçka për të dhënë informacion më të pavarur, më të besueshëm, pikëpamjen tonë për ngjarjet."

Frolova thotë se qendra e shtypit nuk financohet nga qeveria.

“Qendra operon tërësisht mbi baza vullentare dhe të gjithë njerëzit që punojnë atje, janë profesionistë të shtypit, komunikimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare."

Qendra e krizës nuk ofron informacionin e vet, por në fakt shërben si një platformë për politikanët ukrainas, aktivistët, biznesmenët dhe zyrtarët ndërkombëtarë që vizitojnë vendin, që të mbajnë konferenca për shtyp. Komentet e tyre njoftohen më pas në informacionet për shtyp dhe në faqen e qendrës në Facebook, si dhe përmes Twitter-it.

Këtë javë, Departamenti i Shtetit e kritikoi propagandën ruse, duke thënë se "bota nuk ka parë një trillim rus kaq befasues, që kur Dostoyevsky shkroi se: "veprimi aritmetik dy shumëzim për dy bëjnë pesë, nuk është pa përkrahësit e vet".

18-vjeçari Sviatuslav Yurash është dakord me këtë thënie të Departamentit të Shtetit. Ai është njëri prej shumë rusëve që përpiqet ta përdorë internetin për të filluar nisma për t'iu kundërvënë medias shtetërore ruse. Faqja e tij në internet EuroMaidanPR filloi të funksionojë në janar për të dokumentuar protestat kundër Yanukovych-it. Por tani ai dhe miqtë e tij po përqëndrohen tek Krimea dhe tek kriza me Rusinë.

“Ne përpiqemi të japim më tepër fakte për të evidentuar të vërtetën për atë që është duke ndodhur në lindje, në jug dhe në Krime."

Faqja në internet e Yurash-it i demaskoi menjëherë thëniet e Moskës se dhjetra mijëra rusë janë duke u larguar nga Ukraina. Ai shton se një prezantuese e njohur e televizionit rus "Russia Today" dha dorëheqjen në shenjë proteste nga stacioni.

“Rusia ka filluar një fushatë gënjeshtrash të zhurmëshme. Sot ne dhamë lajmin se një nga prezantuset e la vendin e punës, ngaqë nuk vazhdonte dot më me gënjeshtrat."

Në kushtet kur po shtohen tensionet në Krime, beteja në fushën propagandistike mund të intensifikohet.
XS
SM
MD
LG