Të dielën në Ukrainë janë hapur kutitë e votimit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Tre kandidatët kryesor në mesin e 39 syresh sa konkurrojnë në zgjedhjet e sotme, janë një komedian, që imitonte presidentin në një shfaqje televizive, presidenti aktual dhe një ish kryeministre, që po garon për të tretën herë në zgjedhjet presidenciale.
Volodymyr Zelenskiy, po përpiqet të vërtetojë se jeta mund të imitojë artin. Ai është protagonist në serinë televizive “Shërbyesit e Popullit”, ku luan një mësues që papritmas e gjen veten president, pasi që një nxënës i tij publikoi në YouTube një nga fjalimet e tij në të cilin ai denoncon elitën.
Presidenti, Petro Poroshenko, sipas anketës së fundit të Institutit Ndërkombëtar të Kievit për Sociologji, gëzon mbështetjen e vetëm 13.7 për qind të votuesve. Miliarderi 53 vjeçar, i quajtur mbreti i çokollatës, për shkak të biznesit të tij të ëmbëlsirave, është akuzuar nga rivalët e tij për organizimin e skemave për blerje votash, posaçërisht në qytete të vogla ku paternalizmi politik është ende i fuqishëm.
Yulia Tymoshenko, u bë kryeministre e Ukrainës për revolucionit të portokalltë të vitit 2004. Ajo u arrestua në vitin 2011 nën akuzat për abuzim me pushtetin dhe u liruan në vitin 2014, kur konkurroi në zgjedhjet presidenciale dhe humbi në përballje me Petro Poroshenkon.
Asnjëri nga kandidatët nuk pret të fitojë shumicën në raundin e parë dhe dy më të votuarit do të përballen në një raund të dytë të zgjedhjeve.
Facebook Forum