Në Gjirokastër u përcoll pranë familjarëve trupi i pajetë i njërit prej demostruesve që u vra të premten gjatë incidenteve të dhunshme në Tiranë. Dega vendore e socialistëve njoftoi bërjen e homazheve gjatë ditës së sotme në nderim të viktimës. Ndërkohë emigrantët shqiptarë në Greqi po ndjekin me shqetësim situatën e tensionuar politike në Shqipëri. Komunitet e emigrantëve i kanë bërë thirrje klasës politike të ulë tonet . Edhe Athina zyrtare tha se po e monitoron me shumë kujdes situatën duke u shprehur se Shqipëria nuk duhet të rrëshqasë në dukuri dhune nga kudo që ato vijnë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Raimond Kola, njofton nga Gjirokastra.
Në Zenelaj, një fshat në afërsi të qytetit të Gjirokastrës, u përcoll pranë familjarëve trupi i pajetë i njërit prej demostruesve që u vra të premten gjatë incidenteve të dhunshme në Tiranë. 48 vjeçari Ziver Veizi, i sapokthyer nga Greqia ishte i njohur si një aktivist i socialistëve vendorë. Ai humbi jetën nga një plagë me armë zjarri gjatë demostrimeve të dhunshme të së premtes në Tiranë. Dega vendore e socialistëve njoftoi bërjen e homazheve gjatë ditës së sotme në nderim të viktimës .
Ndërkohë emigrantët shqiptarë në Greqi po ndjekin me shqetësim situatën e tensionuar politike në Shqipëri. Komunitetet e emigrantëve i kanë bërë thirrje klasës politike shqiptare të ulë tonet. Shqiptarët në Greqi vlerësojnë, organizatat e emigrantëve, në prononcime të tyre për mjetet e informimit përballen me veshtirësi të theksuara nga kriza ekonomike dhe tensionet e vendit amë i shtojnë edhe më tepër këto vështirësi dhe sfida.
Edhe Athina zyrtare tha se po e monitoron me shumë kujdes situatën duke u shprehur se Shqipëria nuk duhet të rrëshqasë në dukuri dhune nga kudo që ato vijnë. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme Greke Grigoris Delavekuras, tha se “Aktet e dhunshme në Shqipëri, nuk kanë shkaktuar vetëm vdekjen tragjike të tre njerëzve dhe shumë të tjerëve që u plagosën, por edhe një goditje kundër Republikës së Shqipërisë dhe demokracisë”. "Shqipëria nuk duhet aktualisht të rrëshqasë në dukuri dhune, nga kudo që vijnë ato. Përkundrazi, kjo është një përgjegjësi historike e të gjitha forcave politike dhe shoqërore të vendit që të tregojnë përmbajtje” deklaroi përfaqësuesi i Ministrisë së jashtme Greke.
Një tjetër poltikane e lartë greke ish Ministrja a e Jashtme greke Dora Bakojani duke iu referuar zhvillimeve të së premtes në Shqipëri tha mbrëmë se duket se situata e zbut dhe po vihet nën kontroll. “Fenomene të tilla janë të dëmshme për demokracinë dhe Qeveria greke duhet të tregojë interes të vërtetë”, deklaroi Bakojanis gjatë një vizite në Pikën Kufitare të Kakavijës. Zonja Bakojanis vlerësoi gjatë vizitës hapjen e Greqisë me Shqipërinë dhe lëvizjen e qytetarëve shqiptarë pa viza. Ish zyrtarja e lartë greke që sot drejton një fraksion politik të së djathtës në opozitë në Greqi u takua edhe me politikanë shqiptarë, përfshire nëkryetarin e parlamentit shqiptar Vangjel Tavo. Gjatë takimeve zonja Bakojanis bisedoi për situaën e brendshme politike në Shqipëri dhe marëdhëniet mes të dy vendeve.