Lidhje

Stambolli, destinacion popullor turizmi


Konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në turizmin në Turqi gjatë vitit të kaluar. Sipas statistikave zyrtare, numri i turistëve nga Siria, Irani dhe Izraeli ka rënë me dy milionë. Por pushuesit nga Evropa ende e konsiderojnë Turqinë si një desitinacion pushimi tërheqës dhe të sigurt.

Stambolli është një qytet që ofron shumë gjëra për turistët. Agia Sofia dhe Xhamia e Sulltan Ahmedit ose Xhamia Blu janë dy nga objektet arkitektonike më tërheqëse të Stambollit.

Qyteti ndodhet pranë ngushticës Bosfor, detit Egje dhe Detit të Zi dhe besohet se është një nga qytetet më tërhqëse në kontinentet e Evropës dhe Azisë.
Hagia Sophia është rindërtuar disa herë: në fillim ka qenë një kishë ortodokse pastaj xhami dhe tani është muze.

Brenda kupolës ka shumë mozaikë frymëzues. Stambolli është i mbushur me turistë të cilët vizitojnë qytetin dhe fotografojnë pamjet e bukura të tij.

Shumë prej tyre lexojnë guidat turistike për të mësuar rreth kulturës dhe artit disa shekullorë të Bririt të Artë në Stamboll. Njerëzit që punojnë në industrinë e turizmit thonë se lufta civile në Siri - e cila ndan qindra kilometra të kufirit të saj me Turqinë, nuk ka patur ndikim serioz në biznesin e tyre.

“Kufiri sirian është larg nga Stambolli, kështu që këtu nuk ka asnjë rrezik. Pra, Stambolli mund të vizitohet dhe mund të lëvizësh i lirë në qytet”, thotë ciceroni Hasan Cetin.

Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, turizmi në Turqi u rrit me 1 për qind në vitin 2012. Më shumë se 31 milionë turistë vizituan vendin në vitin 2012. Edhe të ardhurat nga turizmi shënuan rritje të vogël në vitin 2012 duke arritur vlerën 23.4 miliardë dollarë.
Sipas Institutit të Statistikave të Turqisë, pothuajse 80 përqind e të ardhurave vijnë nga vizitorët e huaj.

Ata thonë se numri më i madh i turistëve erdhi nga Gjermania, Rusia dhe Britania.
Turisti britanik Sumant Shanbhag thotë se para se të rezervonte biletën për në Turqi ai kishte mësuar përmes internetit se Stambolli nuk ishte ndikuar nga trazirat rajonale në Lindjen e Mesme.

“Nuk ka histori të problemeve në këtë pjesë. Pra, unë bëra kërkime në internet dhe e kuptova se ky është një vend i sigurt për vizitorët”.

Por numri i turistëve nga Siria, Irani dhe Izraeli që vijnë në Turqi ka rënë. Turqia ka patur mosmarrëveshje diplomatike me këto vende. Ministria e turizmit në Turqi thotë se numri i turistëve nga këto vende ka rënë 35 përqind - një rënie prej dy milion njerëzish.
Mustafa Bekdas është menaxher i restorantit Balik Galata. Ai ka punuar në këtë biznes për 30 vjet dhe e ka vënë re uljen e numrit të turistëve nga Siria, Irani dhe Izraeli.

“Aktualisht ne nuk kemi marrëdhënie të mira me fqinjët tanë, ne vërtetë nuk kemi marrëdhënie të mira me Greqinë, Qipron, Sirinë, Iranin, Irakun, madje as me vendet e Ballkanit”.

Por pavarësisht nga konfliktet dhe marrëdhëniet e tendosura diplomatike me fqinjët, industria e turizmit në Turqisë vazhdon të jetë e fortë. Ekonomisti turk Mustafa Sonmez thotë se ai nuk është i shqetësuar nga rënia e numrit të turistëve nga vendet e rajont sepse kjo nuk shkakton vështirësi serioze për industrinë e turizmit në Turqi.
Evropa, thotë ai, mbetet tregu më i madh për turizmin turk.

“Turistët nga Siria, Irani, Iraku dhe vendet e tjera të rajonit përbëjnë vetëm 6 ose 7 përqind të turizmit në vend, po aq sa turistët që vijnë nga Britania e Madhe”.

Por, qeveria me prirje islamike e Turqisë është e interesuar në diversifikimin e tregut dhe ka arritur të tërheqë turistë nga vendet arabe. Zyrtarët e agjencisë së turizmit thonë se vizitorët arabë i tërheq ushqimi, historia dhe feja e përbashkët.
XS
SM
MD
LG