Lidhje

Turistët publikojnë direkt ndotjet mjedisore


Aranita Brahaj thotë se “kjo nismë nuk synon publicitete negative por përpiqet të ndërgjegjësojë qytetarët për mjedis të pastër”

Sezoni turistik dhe përpjekjet e administratës për të përmirësuar kushtet e jetesës në zonat bregdetare kaë nxitur edhe ide të reja të shoqërisë civile për të dhënë ndihmesën e tyre në zgjidhjen e problemeve dhe për të pasqyruar realisht situatën. Instituti Shqiptar i Shkencave sapo ka nisur një projekt ku i fton të gjithë pushuesit që të denoncojnë problemet mjedisore dhe të turizmit shqiptar.

Instituti ka hapur për këtë qëllim një faqe në internet dhe menjëherë dhjetëra pushues vendas dhe të huaj publikuan aty foto dhe video, ku pasqyrohen djegia e mbeturinave dhe derdhja e ujërave të zeza në det nga shumë pallate të reja. Drejtuesja e Institutit, Aranita Brahaj, thotë se “Smart Tourist Albania” është një media qytetare për të bashkëpunuar të gjithë në zbardhjen e të vërtetave mbi mjedisin dhe mbrojtjen e natyrës.



Nga çdo telefon celular çdo pushues mund të fotografojë dhe filmojë pamje problematike nga zonat turistike dhe t’i hedhë ato në faqen e përbashkët, siç kanë disa dhjetëra prej tyre qysh në ditët e para. Aranita thotë se “pushuesit po denoncojnë ndotjen e plazheve jo vetëm në zonat e mirënjohura turistike por edhe në plazhet e reja ku abuzimi sapo ka filluar dhe duhet parandaluar”.

“Smart Tourist Albania” u bë menjëherë një nismë e dobishme qytetare në ndihmë të pushtetit vendor dhe autoriteteve të mjedisit për të njohur realisht gjendjen dhe për të bërë përmirësime të vërteta të situatës dhe parandalime të akteve që shkatërrojnë natyrën shqiptare. Ujërat e zeza janë ndotja më e madhe e plazheve shqiptare, raportojnë vetë qytetarët.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka aktualisht 800 mijë qytetarë me telefona të lidhur në internet dhe mbi 200 prej tyre përdorin rrjetin 3G. Aranita Brahaj thotë se “kjo nismë nuk synon publicitete negative por përpiqet të ndërgjegjësojë qytetarët për mjedis të pastër, dhe që fillimisht ata të zbulojnë zonat e ndotura dhe t’u kërkojnë autoriteteve që të vënë dorë”.

Nga të dhënat e vetë qytetarëve, Instituti Shqiptar i Shkencave do të krijojë në fund të sezonit turistik hartën e ndotjeve mjedisore, e cila do t’u jepet autoriteteve vendore për ndërhyrje, dhe vitin tjetër do të bëjë një hartë promovuese me zona turistike të pastra.
XS
SM
MD
LG