Lidhje

Trupat e NATO-s përleshen me serbët në veriun e Kosovës


Trupat e NATO-s përleshen me serbët në veriun e Kosovës
Trupat e NATO-s përleshen me serbët në veriun e Kosovës

Të paktën 21 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë janë plagosur gjatë një përplasjeje me grupe protestuesish serbë në veriun e Kosovës. Përplasjet pasuan një operacion të KFOR-it për largimin e njërës nga barrikadat e vendosura nga serbët në rrugët veriore në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Sipas KFOR-it, protestuesit serbë kanë hedhur gurë mbi trupa e NATO-s duke i sulmuar ata edhe me kamionë të mbushur me zhavorr. Trupat e KFOR-it thanë se kanë shtënë në ajër në shenjë paralajmërimi si dhe kanë përdorur gazin lotsjellës dhe shufrat e gomës në vetëmbrojtje.

Zyrtarë të NATO-s thanë se i kanë dhënë fund operacionit për të shmangur shkallëzimin e përplasjeve gjatë të cilave 21 ushtarë janë plagosur.

Përfaqësuesit e serbëve thanë se është ngritur një barrikadë e re në zonën ku është zhvilluar operacioni i KFOR-it, të cilin ata e akuzuan për veprime të dhunshme dhe siç thanë, mospërmbushje të zotimeve për të mos ndërhyrë ndaj protestuesve.

Trupat paqeruajtëse ndërkaq thanë se operacioni është në pajtim me mandatin e tyre për ruajtje e një mjedisi të qetë e të sigurt dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë.

Pak pas përplasjeve, një shpërthim ka ndodhur në një lagje me popullsi të përzier në veriun e Kosovës. Shpërthimi që ka kaluar pa pasoja në njerëz ka dëmtuar tri makina civile dy nga të cilat të pronarëve shqiptare dhe një pronë e një serbi.

Policia tha se në bazë të hetimeve paraprake besohet se mjeti shpërthyes i përdorur në këtë rast, është një granatë dore e prodhimit jugosllav. Por policia tha se ende nuk dihet asgjë për motivet dhe autorët e mundshëm të këtij incidenti të cilin ajo e ka cilësuar si akt të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Autoritetet e sigurisë thanë se gjendja në veri është e tensionuar pas zhvillimeve të fundit. Incidentet pasuan një raund bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat dështuan të sigurojnë një zgjidhje për vendkalimet kufitare ndërmjet dy vendeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë debatet për këtë çështje, por qëndrimet janë shumë të ndara. Tash e katër muaj me radhë serbët në veri po mbajnë të bllokuara rrugët në veri duke kundërshtuar vënien e vendkalimeve kufitare nën kontrollin e autoriteteve të Prishtinës.

Fillimi i muajit të ardhshëm është afati kur do vendoset nëse Serbia do të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, kusht për këtë është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Kjo nënkupton edhe lëvizjet konkrete për shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës.

XS
SM
MD
LG